Për pak do të mbushë 60 vjeçe por nuk ngjason aspak me gjyshet tradicionale me të cilat shumë prej nesh jemi rritur. Ladi Sulo prej 7 vitesh është shndërruar në një aventuriere të vërtetë që sfidon malet, jo vetëm të Shqipërisë por edhe në Ballkan e më gjerë. Ajo që e bën më të veçantë, është se prej 4 vitesh tashmë në çdo udhëtim ajo ka një shok edhe më të pazakontë, nipin e saj 7 vjeçar Markus. Janë një dyshe alpinistësh të cilët, asnjë fundjavë nuk i gjen në të njëjtin mal.
E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Ladi dhe Markus rrëfyen aventurat e tyre nëpër malet e Shqipërisë.
"Njeriu duhet të rrezikojë, jeta kështu është që të ecësh përpara. Është më bukur me aventurë. Frikën e kisha se ishte fëmijë, në fillim ngjitesha dhe zbrisja me të përdore. Por sot nuk e kam problem. Ndoshta frika u zhduk me kalimin e viteve. Ne ngjitëm maëlin e Çikës para 2 muajsh dhe ky (Markus) e ka ngjitur dhe e ka zbritur vetë. Është një mal i vështirë për shkak të terrenit.", tregon gjyshja.
E pyetur nëse ndjehet e lodhur, Ladi tha se përkundrazi, është gjithmonë në kërkim të sfidës së radhës që do ti dhurojë më shumë adrenalinë.
"Vetë pretendoj të bëj një udhëtim që është i vështirë që të jep adrenalinë. Pavarësisht se kam bërë Nëmërçkën 7 herë dhe do ta bëj 10 herë. Do të vazhdoj deri sa të kem fuqi. Pas 2 vjetësh do të dal në pension dhe mbase nuk do të kem mundësi ekonomike por do të vazhdoj. Ngjitja e maleve të jep kënaqësi si personale e për më shumë kur i shërben fëmijës. Je gjithmonë tej mase i lumtur dhe kur kthehesh kur vjen në Tiranë, i shtyn edhe 2-3 ditë i lumtur, duke menduar që erdhi fundjava dhe do ngjitesh prap. Ndjehesh i çliruar. Sepse Tirana është e ndotur si kryeqytetet ashtu si kudo në botë. Në male njeriu mbushet me ajër.
Do tu them një gjë prindërve dhe gjyshërve që sot kanë mani ti blejnë fëmijëve dhuratën më të bukur dhe më të shtrenjtë. Fëmija nuk do dhurata, apo para por do kohë. Por do edhe natyrën, ndaj përkushtojini fëmijëve", shprehet Sulo.
Ndërsa vogëlushi 7 vjeçar Markus tha se i shijojnë shumë aventurat me gjyshen e tij nëpër male e pyje e se nuk ndjen aspak nevojën e teknologjisë, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij.
"Aty ishte si në xhungël. Më pëlqejnë më shumë malet dhe nuk rri kurrë në playstation", thote ajo.
Ishte viti 2012, pikërisht me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit kur Ladi vendosi të ngjisë malin e Qores në Llogara në një terren të vështirë e me shi, e më tej vazhdoi me maja të tjera në Shqipëri e Ballkan. Pa mbushur akoma 3 vjeç, Ladi mori me vete edhe nipin e saj Markus për të ngjitur malin e Dajtit. Që prej asaj dite ai është bashkëshoqëruesi më i mirë i gjyshes së tij.