Numri i personave që kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në Shqipëri ka shënuar rënie me 26% në dhjetë vitet e fundit, sipas ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili në një postim në rrjete sociale të dielën, njofton se në vitin 2025 janë regjistruar 200 viktima nga aksidentet, 70 më pak nga viti 2015.
Duke ndarë edhe grafikun me ecurinë e aksidenteve, Lamallari thekson se siguria rrugore mbetet prioritet, ndërsa njofton se projekti “Smart City” do të vihet së shpejti në funksion, duke e cilësuar investimin më të madh të qeverisë shqiptare në këtë fushë.
“Nuk është kurrë mjaftueshëm ndërgjegjësimi mbi nevojën e respektimit të normave të drejtimit të automjetit dhe sigurisë rrugore. Do të vijojmë çdo ditë me apelin për ndërgjegjësim, mbikëqyrje dhe sanksionim me qëllim parandalimin e humbjeve në jetë njerëzore dhe lëndimin e qytetarëve”, shprehet ministri.
“Smart City vjen së shpejti si investimi më i madh i qeverisë shqiptare për sigurinë rrugore dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit”, shtoi ai.
Sipas Lamallarit, Policia e Shtetit vijon kontrollet intensive në akset kryesore të vendit me makina inteligjente, radarë dhe dronë për evidentimin e shkeljeve që rrezikojnë sigurinë rrugore.
Sipas të dhënave që ministri ka bërë publike më herët në Report TV, projekti “Smart City” parashikon vendosjen e mbi 5 mijë kamerave inteligjente, radarëve dhe sensorëve në qindra pika të vendit për monitorimin e sigurisë rrugore dhe publike.
Komente











