SHKODËR- I deleguesi për menaxhimin e situatës në Shkodrë, zv. minsitri i Brendshëm Besfort Lamallari ka dalë ditën e sotme në terren për monitorimin e situatës së COVID-19.
Lamallari vë theksin se Shkodra tashmë po shndërrohet në një qytet që shembull sa i përket policimi në komunitet duke bashkëpunuar me vullnetarë.
"Policimi në komunitet kundër pandemisë COVID-19. Specialistë të policimit në zonë së bashku me vullnetarë të shoqërisë civile bashkuan forcat për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e masave kufizuese dhe parandaluese në mbrojtje të shëndetit dhe jetës! Të gjithë së bashku për shëndetin dhe të mirën e përbashkët. Modeli më i bukur dhe praktik i policimit në komunitet vjen nga Shkodra. Ministria e Brendshme; Policia e Shtetit; Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër", shkruan Lamallari.
Shkodra ka qenë një nga qytetet më problematike sa i përket respektimit të masave të marra nga COVID-19, çka u reflektua edhe në një numër të lartë të të infektuarve brenda një kohe të shkurtër, duke u renditur në qytetin e dytë më të prekur pas Tiranës. Aktualisht numëron 102 raste.