Lame: Marrëzia e Planit, nga 20 m,
distanca mes pallateve bëhet 6.6 m

Lame: Marrëzia e Planit, nga 20 m, <br />distanca mes pallateve bëhet 6.6 m
TIRANE - Artan Lame vazhdon të shpresojë se do të marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria për pikëpyetjet dhe dyshimet e lidhura me Planin e ri Urbanistik Të Tiranës.  Një prej tyre është, siç tha ai, "marrëzia" e zvogëlimit të distancës ndërmjet pallateve 10-katësh, nga 22 m në 6.6!

Në një deklaratë për shtyp sot ai tha se "u mbushën 2 muaj e gjysmë, por ende nuk ka asnjë përgjigje konkrete, për pyetjet konkrete, mbi çështje konkrete, të bëra nga ne, rreth të Planit Basha-Malltezi për Tiranën. Por ndërkaq, të tjera re të zeza po na vijnë përsipër.

Kështu: Berisha na tha para shumë vjetësh se do të hartonte planin e Përgjithshëm Zhvillimor të Vendit. Nuk e bëri; dhe pasojë është zhvillimi pa asnjë plan dhe ku secili bën ç’të mundet. Ky nuk ishte thjesht një premtim elektoral, apo një barrë morale e Sali Berishës, por edhe një detyrim ligjor i mirëpërcaktuar në Ligjin për Planifikimin e Territorit.

Por ka edhe më. Ia vari Planifikimit të Shqipërisë dhe u mor vetëm me Tiranën, duke miratuar Planin që tashmë është bërë e qartë për të gjithë, se qëllim të vetëm ka zënien e parqeve dhe lulishteve të fundit që i kanë mbetur qytetit.

Dhe ky është njeriu që na premtoi se do ta bënte Tiranën të notonte në gjelbërim.

Por ka edhe më. Pasi miratuan Planin e Tiranës, kuptuan se kullat e parashikuara në të nuk mund të ndërtoheshin me ligjin aktual të Planifikimit të Territorit.

Pa asnjë problem, para disa ditësh miratuan ndryshimet në ligjin e Planifikimit të Territorit, sipas midesë së këtyre kullave që do ndërtohen dhe, me parimin “të bëjmë rregullat pasi ka mbaruar loja”. Dhe ky është njeriu që na premtoi se në Tiranë nuk do kishte më kulla dhe betonizim.

Por ka edhe më. Edhe pas ndryshimeve në ligj, kishte një pengesë tjetër për ndërtimin e kullave: Rregullorja e Urbanistikës, e cila përcakton kondicionet urbane të ndërtimit. Pikërisht këto ditë po përgatisin një VKM për ndryshimet në këtë rregullore.

Thelbi i ndryshimeve është zvogëlimi deri në absurditet i kondicioneve urbane, për të lejuar kulla të reja ngjitur me kullat ekzistuese.

Po ju jap një shembull se çfarë po miratojnë:

“Neni 21 / Në nënnjësitë në proces mbushjeje urbane, distanca minimale midis faqeve që shohin njëra-tjetrën, të dy strukturave që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës është 6,6 metra”.
Imagjinoni dy pallate me 5-10 apo 15-katëshe që lejohen të ndërtohen me distancë 6,6 m nga njëri-tjetri. Imagjinoni qytetarët e një pallati, që papritur mund të gdhihen me një pallat të ri para dritareve, vetëm 6,6 m larg dritares së tyre. Dhe nuk mund të ankohen më askund, sepse këtë tani do ta lejojë ligji.

Kujtoj këtu se, sipas legjislacionit të deritanishëm, distanca minimale midis dy pallateve nga 10 kate ishte 22 m, ndërsa tani katandis në 6,6m.

Në këtë pikë po ju drejtoj një pyetje të thjeshtë hartuesve të këtyre marrëzive: Në cilin legjislacion evropian i kanë gjetur distancat urbane që po miratojnë? Le të nxjerrin qoftë edhe një vend të vetëm, që ka të tilla marrëzira në ligjet e veta".

Në përfundim, Lame tha: "Vazhdojmë të ftojmë këdo nga ekipi Basha-Malltezi, të ulemi në një tryezë publike në çfarëdo televizioni të duan, për të debatuar për të gjitha denoncimet e bëra me përgjegjësi të plotë prej nesh".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë