TIRANE- Ndryshimet e reja në ligjin për ndërtimet pa leje, do të përfshijnë në proces 60 mijë objekte pa leje të ndërtuara në tokë shtet apo me pronar pas vitit 2009. Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar në parim projektligjin, i cili i jep zgjidhje legalizimit të 60 mijë objekteve të ndërtuara në të gjithë Shqipërinë.

Qeveria propozon në harkun kohor të 18 muajve një tjetër ndryshim në ligjin e legalizimeve, që i hap rrugë përfshirjes në proces të rreth 60 mijë objekteve të ndërtuara pa leje pas vitit 2009, të përjashtuara nga ligji i mëparshëm për shkak të ndryshimeve të miratuara në Kodin Penal. Ndryshimet janë paraqitur në Komision nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame, që theksoi se gjatë gjithë kësaj kohe këto objekte mbetur në mëshire të prokurorisë dhe policisë.

“Ndryshimet në Kodin Penal të futura në fuqi në janar të 2009-s kishin dy parashikime. Së pari, bllokonin legalizimin e ndërtimeve të bëra në tokë shtetërore apo në tokën e palëve të treta. Së dyti, parashikonin dënim me gjobë dhe me burg” theksoi në Komision Artan Lame.

Akuzat
Kreu i Agjencisë së Legalzimeve raportoi se, nga 350.000 objekte pa leje në total, 50.000 janë legalizuar nga viti 2005, 21.700 gjatë 8 viteve të qeverisjes së demokratëve dhe 32.200 gjatë këtyre 18 muajve. Nga 300 mijë objekte të mbetura, 200 mijë, të cilat gjenden në zona informale, parashikohen të legalizohen deri në vitin 2017. Deputetët opozitarë akuzuan se qeveria nuk ka mbajtur premtimin për legalizim falas, ashtu sikurse heqjen e barrës hipotekore për energjinë.

Debati mes mazhorancës dhe opozitës u fokusua te legalizimet falas, ku opozita kërkoi llogari për këtë premtim që sipas Oerd Bylykbashit është i pambajtur, ndërsa Bashkim Fino tha se është bërë më shumë punë në këtë drejtim për dy vjet se sa gjatë 8 viteve të qeverisë së djathtë. “Pse ju nuk mbani premtimin? Së dyti, pse e keni refuzuar atë që ne u përpoqëm t’ia bashkëngjisnim premtimit tuaj, ta sillnit sot këtu legalizimin falas?

A do të ishte me vend që ju të propozonit heqjen e barrës hipotekore për faturën e energjisë?”, deklaroi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. “Procesi i legalizimit është i gjithi falas. Do paguash - me ato 4-5 zbritje të përcaktuara - vetëm parcelën ndërtimore, nëse nuk është e jotja, por është e shtetit apo e një pronari. Nga paratë që do paguash parcelën, 10% të tyre mos ia jep ALUIZNI-t. Paguajini një vit dritat dhe sillni faturën që keni paguar dritat për një vit, në mënyrë që të të falen edhe këto 10%. Barra në këtë rast është pozitive për qytetarët”, tha më tej kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Institucionet
Nga ana tjetër, Lame ka bërë me dije se Institucionet publike janë shkelësit më të mëdhenj të ligjeve për ndërtimin, pasi jo vetëm që kanë bërë ndërtime pa leje, por as që i kanë vetëdeklaruar, siç kanë vepruar qytetarët. Kreu i Agjencisë së Legalizimeve Artan Lame tha se rezultojnë qindra institucione publike, madje edhe disa bashki që kanë kompetencë dhënien e lejeve të ndërtimit, që kanë bërë ndërtime apo shtesa pa leje.

ZQRPP/ 10% kamatë për çdo ditë vonesë

Legalizimet, 30 ditë kohë për regjistrimin në hipotekë
 
Nga momenti i miratimit dhe dërgimit të dosjes së legalizimit në zyrat e regjistrimit të pasurive, qytetarët kanë 30 ditë kohë për të kryer hipotekimin e pronës për marrjen e certifikatës së pronësisë. Procedura e regjistrimit në Hipotekë kushton 5 mijë lekë, ndërkohë që, pas periudhës 30 ditore, qytetarët do të ngarkohen me një kamatëvonesë prej 10% për çdo ditë vonesë. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka bërë publike në faqen e re zyrtare tarifat, afatet dhe kamatëvonesat e shërbimeve, ku bie në sy se nga momenti i marrjes së dosjes së miratuar nga ALUIZNI, procedura e regjistrimit të pronës nuk mund t’i kalojë dhjetë ditët. Sipas tabelave, subjektet do të ngarkohen me kamatëvonesa nëse shkelin afatet ligjore për disa nga veprimet për të cilat ligji përcakton afate kohore. Kështu, nëse regjistrimi i kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ, nuk kryhet brenda afatit kohor prej 30 ditësh, subjekti do të ngarkohet me një kamatëvonesë prej 10% të shumës 3,500 lekësh që është tarifa e këtij shërbimi. Kamatëvonesa do të paguhen gjithashtu edhe në rastet kur nuk kryhet në kohë regjistrimi i aktit për kalimin e pronësisë nga përmbaruesi gjyqësor, regjistrimi i kontratave të shitjes, regjistrimi i kontratës së dhurimit, regjistrimi i titujve " në përdorim", apo regjistrimi i aktit të trashëgimisë.
 
Kamatëvonesa
Regjistrimi në Hipotekë kushton 5 mijë lekë, ndërkohë që, pas periudhës 30 ditore, qytetarët do të ngarkohen me një kamatëvonesë prej 10% për çdo ditë vonesë nga dita e dërgimit të dosjes
 
Redaksia online
(a.h/shqiptarja.com)