PRONONCIM
Unë e lexova të gjithë prononcimin gati dy faqe, në gazetën e djeshme, të zotit Ceka. Me thënë të drejtën, më la një shije bajagi të keqe, duke vënë re termat e rëndë dhe nervozizmin që shoqëronte gjithë prononcimin e tij të gjatë. Terma dhe nervozizëm që nuk i ka hije një njeriu në moshë të thyer. Ndoshta prandaj populli thotë “Plakut mos ja dëgjo por...”.
Po nejse përtej kësaj, teorikisht shumica e problemeve në prononcimin zotit Ceka edhe mund të qëndrojnë, pra në kuptimin e asaj që thotë se janë bërë shumë gabime gjatë këtyre viteve në objektet e dhëna me qera, apo për faktin se si janë trajtuar këto objekte të dhëna me qera. Këtu nuk po thotë asgjë të re, se edhe ne pikërisht këtë po themi. Pjesën që shton, se për këto fajin e kam unë, apo profesor Gjeraku, apo Lorenc Bejko, nuk po ja marr seriozisht, duke e quajtur lajthitje plaku. Nuk ka asnjë vlerë të jap shpjegime, pasi ai më tha i korruptuar, unë i them jo s’jam unë je ti, e ku dolëm? Jek e jek, fjala ime kundër të tijës. Bash për këtë populli thotë “horri t’ban horr”.
Ndaj le t’ia marrim për një çast sikur të gjitha janë të vërteta, sikur ne jemi të korruptuarit e botës, sikur ne jemi shkatërruesit e monumenteve, sikur ç’të dojë ai. Të vijmë tek problemi tani. Pse s’i ruajti zoti Ceka monumentet nga ne, kur ka 8 vjet në pushtet? Po monumentet qe do të japë ai në vijim me qera, kush do t’i ruajë nga ne të korruptuarit? Mirë se sa të jetë gjallë ai vetë, mund të flemë të qetë se do i ruajë ai, por kur larg qoftë të mos jetë më, kush do t’i ruajë nga ne të degjeneruarit? Pikërisht se ne jemi të korruptuar, po themi dhe po ngulim këmbë që nuk duhen dhënë më monumente me qera. Pikërisht se jemi të degjeneruar, po kërkojmë që të mos ndërtohen motele në kalanë e Lezhës. Ehuuu, sa hollë e kemi ndërtuar ne strategjinë e korrupsionit!
Ndërsa zoti Ceka thotë “ju jeni të korruptuar dhe i mbushët xhepat, ndaj nuk mund të flisni dhe të më ndaloni mua tani që të jap edhe unë ca të tjera e të nxjerr edhe unë një dorë lekë”. Mere me mend sa të liq që jemi, jo vetëm të korruptuar por edhe grindavecë, se nuk i lëmë të tjerët të na ndjekin në rrugën tonë.
Me qenë burrë ky zotnia që ka 8 vjet në paradhomën e kryeministrit, shkon e na i nxjerr lakrat në shesh ne të korruptuarve, rregullon monumentet që prishëm ne, heq ndërtimet pa leje të bëra brenda tyre dhe pastaj vjen e thotë: Ja si i rregullova gjërat unë, ndaj tani do vazhdoj të rregulloj edhe ca të tjera. Mirëpo kjo udhë është ca e gjatë dhe siç thoshte Shkreli, ai ka arritur në cakun biologjik ndaj s’i pret puna.
Një gjë tjetër që e kam vënë re shpesh herë me zotni Cekën, është që do që të na heqë edhe tagrin e shoqërisë civile. Unë, profesor Gjeraku, e shumë të tjerë nga ne, jemi njerëz që nuk kemi tagër shtetëror prej shumë kohësh. Jemi njerëz që flasim në mbrojtje të trashëgimisë kulturore se vetëm këtë kemi në dorë. Njeriu i ngarkuar dhe i paguar nga shteti për të bërë mbrojtjen e tyre, është vetë zoti Ceka, i cili flet sikur të ishte OJQ, thotë se këto vite janë dëmtuar monumentet e na kërkon llogari neve, duke harruar që në këto 8 vjet ai është vetë në pushtet. Në vend të flasë se ç’ka bërë për t’i mbrojtur, na akuzon ne, duke ngatërruar rolet.
Por ka një të vërtetë edhe në këtë fakt. Kam vënë re tek shumë qytetarë e tek shumë denoncime që më vijnë mua personalisht, por edhe në adresë të Forumit, qytetarët më shumë na konsiderojnë neve si mbrojtës, se sa zotin Ceka dhe gjithë lukuninë e atyre që janë sot nëpër institucione, të cilët janë të ngarkuar e paguhen për këtë punë. Qytetarët kane hequr dorë nga institucionet, nuk kanë më asnjë lloj shprese se mund të vijë ndonjë gjë e mirë prej myteberëve të zyrave dhe na drejtohen neve, duke shpresuar të ndreqim ne paudhësitë dhe shterpësinë e qyqarëve të institucioneve.