Ylli i ri i futbollit spanjoll, Lamine Yamal, ka pranuar se ende nuk është plotësisht gati për të luajtur një ndeshje të plotë në Kupën e Botës 2026. Para sfidës së Spanjës kundër Arabisë Saudite, talenti 18-vjeçar deklaroi se ndihet mirë fizikisht, por rikthimi i tij në formën optimale do të bëhet gradualisht.

"Jam gati për çfarëdo që dëshiron trajneri, por nuk jam gati për një ndeshje të plotë. Kam qenë jashtë fushës për një kohë të gjatë dhe po rikuperohem hap pas hapi. Nuk është momenti për të luajtur 90 minuta", u shpreh Yamal për TVE.

Anësori spanjoll zbuloi gjithashtu se dëmtimi i pësuar më 23 prill e bëri të mendonte menjëherë për rrezikun e humbjes së Botërorit.

"Të jem i sinqertë, mendova menjëherë për Kupën e Botës sapo u dëmtova. Para këtij viti nuk isha dëmtuar kurrë dhe nuk kisha munguar asnjëherë për një periudhë të gjatë. Kjo përvojë më ka ndihmuar të piqem si lojtar dhe si person", tha ai.

Pas debutimit të tij në Kupën e Botës kundër Kepit të Gjelbër (0-0), ku luajti vetëm 20 minuta, Yamal theksoi se dëshira e tij më e madhe është të ndihmojë ekipin kombëtar.

"Doja të isha në fushë dhe të ndihmoja skuadrën. Ambicia më shtyn të përmirësohem çdo ditë. Kur kundërshtarët më mbulojnë me dy ose tre lojtarë, do të thotë se shokët e mi kanë më shumë hapësira dhe ne duhet të gjejmë mënyrën për t'i shfrytëzuar ato", deklaroi sulmuesi.

I pyetur për krahasimet me emra si Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe Lionel Messi, Yamal u shpreh se fokusi i tij mbetet te sukseset kolektive.

"Nuk jam i fiksuar pas krahasimeve. Nuk dua të shënoj gola vetëm sepse e ka bërë dikush tjetër. Dua të fitoj. Nuk ka rëndësi sa gola shënoj nëse ekipi eliminohet para finales", theksoi spanjolli.

Sa i përket Messit, talenti spanjoll nuk kurseu elozhet për kampionin argjentinas.

"Idhulli im është Neymar, por Messi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim. Nëse përballemi me Argjentinën në finale, aq më mirë, sepse do të thotë se kemi arritur deri në fund", deklaroi Yamal.

Në fund, ai foli edhe për shokun e tij të skuadrës, Nico Williams, duke vlerësuar cilësitë e sulmuesit të krahut.

"Mendoj se Nico është më i mirë se unë. Ai është një futbollist fantastik dhe do të na ndihmojë shumë. Të dy po rikthehemi nga dëmtimet dhe duhet të përmirësohemi gradualisht, pa u nxituar", përfundoi ylli i Barcelonës.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.