TIRANË – Kreu i Qeverisë në ikje, Sali Berisha, i ka lënë lamtumirën e tij si Kryeministër i vendit për tetë vjet, edhe mbështetësve të tij në Facebook, një lamtumirë që ka ardhur pasi ka mbyllur sot edhe mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave.

Nëpërmjet një shënimi të postuar pasditen e sotme në profilin e tij, Berisha shkruan: “Tetë vite që ndryshuan përgjithmonë historinë, gjeografinë, gjeostrategjinë e Shqipërisë! Mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që mbështetën këto ndryshime!

Të dashur miq, sot ishte mbledhja e 425-të dhe e fundit e dy mandateve të mazhorancës së PD-së.
 
Në 7 255 ligje, akte normative dhe vendime të miratuara në këto mbledhje si dhe qindra e mijëra veprimtari të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, u ndryshua në mënyrë përfundimtare historia, gjeografia dhe roli gjeostrategjik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Fjala e pare që më vjen në mendjen time dhe që buron nga zemra,”- thekson Berisha, - “është: Mirënjohje, mirënjohje e pakufishme ndaj të gjithë atyre qytetarëve, bashkëpunëtorëve të mi, punonjësve të administratës shtetërore, miqve të huaj që mbështetën me përkushtim, aftësi, pasion dhe dashuri këto arritje!”

berisha
 (Shënimi i postuar prej Kryeministrit në ikje, Sali Berisha, sot pasdite)

Redaksia online
(Shqiptarja.com)