SHIJAK - Trupi i Kryekomisarit Adem Tahiraj u preh sot pasdite në Varrezat e Dëshmorëve. Policia e Shtetit deklaroi se Shefi i komisariatit të Shijakut u ekzekutua dje pasdite pikërisht nga njeriu i cili ndonëse me precendentë të rrezikshëm penalë, ishte liruar nga burgu në 2011. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj në një konferencë për shtyp të orës 12: 41 minuta tha se “Ilir Xhakja i dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasje, ishte arrestuar në 2007, por ishte liruar në 2011. 38 vjeçari i njohur dhe si "i forti i Shijakut" u arrestua 2 orë pas mesnatës së të enjtes, si autori kryesor i vrasjes së shefit të Komisariatit të Shijakut pasditen e djeshme në fshatin Katund të komunës Sukth. Ndërsa policia sekuestroi jo vetëm armën e krimit por dhe një arsenal të tërë armësh si dhe 7 makina mes të cilave 2 të blinduara të cilat ishin tepër të sofistikuara. Kryekomisari, babai i tre fëmijëve, 2 vajza e një djalë u ekzekutua teksa po kryente kontrolle rutinë ndaj makinave të dyshimta, kur edhe ndaloi makinën e Ilir Xhakjas,  i cili ka qëlluar nga brenda makinës duke e lënë të vdekur në vend kryekomisar Tahiraj. Në ngjarje mbeti e plagosur edhe një grua. Policia shpall në kërkim, nipin e Xhakjes, Ledio Krasnaj.

LAMTUMIRA E FUNDIT
Ora 17:00 Vëllai i Adem Tahiraj mbajti fjalën e tij para të pranishmëve në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit. “Në emër të gjithë familjes falënderoj të gjithë që bënë që emri i tij të shkojë në këtë piedestal ku jemi sot”, u shpreh vëllai i kryekomisarit. E më tej trupi i pajetë i ish shefit të komisariatit, Adem Tahiraj mbulohet me dhe. Ministri i Brendshëm Famur Noka ka kryer nderimet e rastit, ndërsa të gjithë të pranishmit, familjarë, miq e personalitete të larta të vendit, kanë dhënë lamtumirën e fundit për kryekomisarin.

PERCILLET NE VARREZAT E DESHMOREVE

Ora 16:50
Përcillet për në banesën e fundit Tahiraj.
Adem Tahiraj do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.

BERISHA: DREJTESIA DO TE VIHET NE VEND
Ora 15:20 Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha tha se drejtësia do të vihet në vend dhe se do të ndëshkohet kushdo që del kundër saj. “Drejtësia do të thotë me rreptësinë më të madhe fjalën e saj. Do hetohet çdo element i këtij akti të shëmtuar. Dua të garantoj qytetarët se Policia e Shtetit është më e vendosur se kurrë t’i japë dënimin e merituar të gjithëve”, u shpreh Berisha gjatë homazheve për ish shefin e komisariatit të policisë të Shijakut, Adem Tahiraj, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë.

HOZHAMET NE SHTEPINE QENDRORE TE USHTRISE

Ora 14: 30 Në Shtëpinë e Ushtrisë nisëmn homazhet për nder të Adem Tahirajt. Miq, kolege e bashkëpunëtorë do t'i japin lamtumirën. Më pas do të varroset në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Pak kohë më parë kryeministri Berisha zhvilloi homazhe në familjen Tahiraj me banim te Kodra e Priftit në Tiranë

TAHIRAJ DESHMOR I KOMBIT
Ora 13: 12 
Qeveria shpall dëshmor të kombit kryekomisar Tahiraj. Ministria e Mbrjotjes ngriti një komision që do të merret me ceremoninë mortore. Ndërkohë që Tahiraj do të prehet në Varrezat e Dëshmorëve.

BURGAJ: XHAKJA U LIRUA NE 2011
Ora 12: 44
Drejtori i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Hysni Burgaj doli në një konferencë për shtyp në orën 12: 41. “Dy autorët pas vrasjes u larguan menjëherë nga ngjarja me të dy makinat në të cilën ishin. Pas bllokimit të të gjithë zonës u bë i mundur arrestimi i Xhakjes, person me precendetë të theksuar kriminal. I dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasje, i arrestuar në 2007 dhe i liruar nga burgu në 2011.”
Më tej gjatë konferencës zoti Burgaj dha dhe detaje të arrestimit të Ilir Xhakjes si dhe sekuestrimin e armës së krimit por dhe siguroi se policia është gjithnjë në luftën me krimin. Duke shprehur ngushëllimet Burgaj nënvizoi se policia e Shtetit garanton opinionin publik se të gjithë strukturat e saj janë maksimalisht të angazhuara për të siguruar rendin e qetësinë publike në të gjithë territorin e vendit dhe do të përballet me forcën e ashpër të ligjit, kushdo që do të cenojë jetën e sigurinë e qytetarëve.

DEKLARATA ZYRTARE E BURGAJT

”Mbrëmë, është vrarë në krye të detyrës, Kryekomisar Adem Haxhi Tahiraj, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shijak, i cili po drejtonte strukturat vendore të policisë në kuadër të planit të masave të hartuar për parandalimin e veprave të mundshme penale, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për kontrollet për armbajtje pa leje. Po ashtu mbeti e plagosur me armë zjarri në këmbë një 67 vjeçare, e cila aktualisht ndodhet në spitalin rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.. Në sajë të masave të menjëhershme, ndjekjes së vazhdueshme nga strukturat e policisë bazuar në informacionet e sakta të grumbulluara mbi lëvizjen e autorëve të dyshuar, si dhe bllokimit e rrethimit të të gjithë zonës me forca të shumta policore, u bë i mundur arrestimi i shtetasit: Ilir Azem Xhakja, vjeç 38, banues në fshatin Katund Sukth, Durrës, person me precendentë të theksuar kriminal, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, kryesisht vrasje. I dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, i arrestuar nga strukturat e policisë në vitin 2007 dhe i liruar nga burgu në vitin 2011. Ndaj këtij shtetasi u mor masa e arrestit nën akuzën e kryerjes së veprave penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79 germa “c”, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal."

FLET DESHMITARJA OKULARE 

Ora 12:00
67 vjeçarja Elena Noka është dëshmitare okulare e vrasjes së kryekomisarit Adem Tahiraj pasditen e djeshme në fshatin Katund të Sukthit. Isha në shtëpi kur dëgjova zhurmë. “Dola të shoh në derën e shtëpisë. Plumbat vërshëllyen, u përpoqa të ruhem”- thotë gruaja e cila shton se gjithka kishte ndodhur shumë shpejt. Ajo sqaron se edhe bashkëshorti i saj doli menejherë për të parë çpo ndodhte por nuk arritën të shihin mirë pasi breshëria e plumbave i detyroi të strehoheshin. Gruaja e shtruar në spitalin e Durrësit, pasi ka marrë një plagë tregon se nuk ka parë se kush ishin vrasësit apo viktima.

ilir xhakja
(Në foto, Ilir Xhakja)
NE BANESEN E XHAKJES I KAPEN ARSENAL ARMESH DHE 2 MAKINAT TE BLINDUARA

Ora 11: 52 Gjatë kontrollit në shtëpinë e Ilir Xhakja dhe nipit të tij Ledio Krasnaj janë gjetur një arsenal i vërtertë armësh. Në shtëpinë e të akuzuarit si vrasës të kryekomisar Adem Tahiraj, uniformat blu kanë sekuestruar 7 automjete, dy prej të cilave të blinduara, një armë automatik, dylbi snajper  si dhe një sasi të konsiderueshme municioni, si dhe disa targa automjetesh, të cilat janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.. Dy prej automjeteve janë të blindura si dhe sekuestruan automjetet tip bmë dhe një model furgon prodhim amerikan. Uniformat blu kanë ushtruar kontrollet dhe në familjarë dhe të njohur të Ilir Xhakjas dhe te Ledio Krasnaj. Në banesën e këtij të fundit sekuestruan 60 fishekësh të kalibrit 7.5mm.

NE 14:00 HOMAZHE PER NDER TE KRYEKOMISARIT
Ora 10: 10
Policia e Shtetit informoi se në orën 14:00 do të zhvillohen homazhet për nder të kryekomisarit në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë.

Ora 10:00 XHAKJA NE POLICINE E DURRESIT, KERKOHET NIPI

Ilir Xhakja ndodhet në paraburgimin e drejtorisë së Policisë së Durrësit. Ndërkohë që vazhdon kërkimi për nipin e tij Ledio Krasnaj,  që të dy banues në Katund Sukth. Policia kishte arritur të marrë informacion në mënyrë operative mbi vendndodhjen e 38 vjeçarit Xhakja. Mendohet se Ilir Xhakja ka dërguar nipin e tij në një vend të sigurtë për të mos u gjetur nga policia dhe më pas ka vendosur të dorëzohet duke mos pasur asnjë mundësi tjetër. Mendohet se Ledio Krasnaj fshihet mes Tiranës e Durrësit. Dosja është marrë në hetim Prokuroria e krimeve të Rënda.

ARRESTOHET ILIR XHAKJA

Ora 02:00 (14 shtator) Forcat e policisë kanë arrestuar rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, (14 shtator) autorin e vrasjes së Kryekomisarit Adem Tahiraj Ilir Xhakja. Xhakja u arrestua në Shënavlash të Durrësit ku dhe ishte fshehur.  RENEA arrestoi Ilir Xhakjen në makinën e tij në rrugën Shënavlash Kodër. Forcat të shumta të policisë kishin rrethuar zonën dhe Xhakja në pamundësi për t’u larguar është vetëdorëzuar bashkë me armën e krimit. Në kërkim Ledio Krasnaj, nipi i Ilirit.38 vjeçari është  anëtar i fisit Xhakja i cili është i përqëndruar në zonën e Sukthit dhe është dyshuar dhe akuzuar disa herë nga autoritetet shqiptare për disa ngjarje shumë të rënda të ndodhura 20 vitet e fundit.
Adem Tahiraj u vra ndërsa së bashku me shoferin po ndiqte një automjet tip "Mercedes" që dyshohet se drejtohej nga shtetasi Ilir Xhakja, në fshatin Katund-Sukth. Pasi automjeti tip "Mercedes" ka ndaluar pas tij ka ndaluar dhe fuoristrada e policisë. Por fill pas këtij momenti pas fuoristradës erdhi një automjet tip "Opel" nga I cili u qëllua në drejtim të Kryekomisarit Tahiraj me kallashnikov. Zyrtarisht policia tha dje se ishte një kontroll për armëbajtje pa leje, por ky version rivalizohet nga burime të rezervuara të policisë që sugjerojnë se Kryekomisari Tahiraj e dinte mirë se cili ishte personi që po ndiqte.

GJITHCKA CFARE NDODHI DJE PASDITE 13 SHTATOR 2012

NOKA VIZITE NGUSHELLIMI NE FAMILJEN TAHIRAJ

Ora 00:15
Në orët e mbrëmjes së të enjtes, ministri i Brendshëm Flamur Noka bëri një vizitë ngushëllimi në familjen e Kryekomisarit të vrarë pasditën e djeshme Adem Tahiraj. Ministri Noka përcolli ngushëllimet më të sinqerta në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrit. “Rënia në detyrë e Ademit është një humbje e pazëvendësueshme për bashkëshorten, familjen dhe të afërmit. Policia e Shtetit humbi një kuadër të çmuar, dhe autorët e krimit do të përgjigjen para drejtësisë”- tha ministri Noka.
 
POLICIA:XHAKJA U DENUA NE MUNGESE PER VRASJE, NE 2007 U DENUA VETEM PER ARMEMBAJTJE PA LEJE
Ora 23:00
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku tha në një deklaratë për shtyp se policia po vazhdon punën intensive për kapjen e autorëve të cilët janë të identifikuar. Sipas policisë, të dy autorët janë banues në Katund të Sukthit. Totraku sqaron të gjitha veprat penale të shtetasit Ilir Xhakja, ku ndër to thuhet: Në vitin 2002 është dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku, ndërsa në vitin 2007 kur është arrestuar, u dënua vëtëm për armëmbajtje pa leje.

NJERI PREJ AUTOREVE ME PRECEDENT PENALE

ORA 21:35
Ilir Xhakja, njëri prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj, në vitin 1996 është akuzuar për vrasjen e shtetasve Gentjan Gjoka e Petrit Lyti. Më 15.5.2002. ka filluar procedimi penal për vrasje në territorin e komunës Katund i Ri Durrës. Në vitin 1995 është dënuar me 1 vit për plagosje të shtetasit Dashamir Lame. Një vit më vonë (1996) është dënuar me 6 muaj burg për kanosje serioze për jetën në dëm të Ylli Malokut. Gjykata e Shkallës së parë për Krimet e rënda e ka dënuar 21 vjet burg në mungesë për vrasje në bashkëpunim ndaj Qerim Malokut. Arrestimi është bërë më 6.7.2007.

IDENTIFIKOHEN 2 TE DYSHUARIT KRYESORE
Ora 20:37
Identifikohen 2 të dyshuarit kryesorë të ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë shefi i komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj. Ata janë shtetasit Ilir Xhakja 38 vjeç dhe Ledio Krasnaj.

POLICIA: JANE IDENTIFIKUAR AUTORET, PO I NDJEKIM
Ora 20: 30 Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Tahiraj ka qenë në një operacion kontrolli për armëmbajtje pa leje, ndërsa është goditur me armë zjarri automatik si pasojë e të cilit ka humbur jetën. Menjëherë pas krimit autorët, që sipas policisë tashmë janë të identifikuar, u larguan nga vendi i ngjarjes.  Ja deklarata që policia e shtetit shpërndau në orën 20: 25 minuta
“Sot, rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik, Shefi i Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, ka humbur jetën menjëherë. Pas aktit kriminal autorët, tashmë të identifikuar, u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe drejtues të strukturave të Policisë së Qarkut Durrës kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë të ndjekin nga afër operacionin për kapjen e autorëve. Paralelisht, grupi i ekspertëve të hetimit ka filluar punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të saj."

TAHIRAJ NE NDJEKJE TE DY MAKINAVE
Ora 20:15 Sipas gazetarit të SHQIPTARJA.com, Habjon Hasani, shefi i komisariatit Shijak, ka kërkuar ndalimin e një Benzi për kontroll, por ky i fundit ka vazhduar të ecë. Tahiraj i është vënë në ndjekje, dhe për një moment kanë qenë të dyja makinat të ndalura pranë një karburanti. Menjëherë pas makinës së kryekomisarit një tjetër makinë ka ndaluar duke shtënë ndaj Tahirajt. Njëra prej makinave ishte e tipit Benz me targa italiane BG140HB dhe tjetra nga ku u qëllua, ishte tip Opel.

VRASESI NE MAKINE ME TARGA ITALIANE BG140HB

Ora 20:04 Makina e vrasësit mësohet se është e tipit Benz, me targa italiane BG140HB.

E PLAGOSURA MUND TE KETE QENE KALIMTARE
Ora 19: 50 Mendohet se e plagosura ka qenë një kalimtare që po ecte në rrugën që të con për në Katundin e Ri kur dhe ndodhi vrasje e shefit të Komisariatit të Shijakut. Për mometin nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Brendshme. Ende ka shumë paqartësi mbi rrethanat e vrasjes së shefit të komisariatit, i cili ishte 49 vjeç dhe baba i fëmijëve.

DREJTUESIT E POLICISE SE SHTETIT DREJT VENDIT TE KRIMIT

Ora 19: 35 Krerët më të lartë të Policisë së Shtetit janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ndërkohë që RENEA ka shoqëruar shumë persona që mund të kenë dijeni apo lidhje me vrasjen. Ndërkaq, policia ndodhet në vendngjarje për të zbardhur detajet e ngjarjes së ndodhur në të cilën humbi jetën shefi i komisariatit, Adem Tahiraj.
Eshte ekzekutuar me breshëri automatiku shefi i komisariatit të Shijakut. Adem Tahiraj u vra rreth orës 18:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, është goditur me armë zjarri automatik. Shefi i komisariatit të Shijakut po kryente kontrolle rutinë ndaj makinave të dyshimta, kur edhe ndaloi makinën e Ilir Xhakjas,  i cili ka qëlluar nga brenda makinës duke e lënë të vdekur kryekomisar Tahiraj. Në ngjarje mbeti e plagosur edhe një grua.  Nga informacionet e para rreth ngjarjes mësohet se Tahiraj të ketë qenë në aksion për të kapur një të shumëkërkuar.

Redaksia Online
(Lajmi fillimisht u publikua në orën 18:00 (13 shtator) dhe u përditësua në vazhdim. Perditësimi i fundit ora 10:56)

(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)