Lamtumira për Nina Mulën
U mbajtën homazhet në TOB

Lamtumira për Nina Mulën<br />U mbajtën homazhet në TOB
TIRANË – Në orën 11 në ambjentet e Teatrit të Operas dhe Baletit nisën homazhet në nder të sopranos Nina Mula, e cila ndërroi jetë ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë. Artistë të operas por edhe teatri, miq, politikanë po marrin pjesë në homazhe duke i shprehur ngushëllimet familjes së sopranos së madhe.
Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha ka vendosur kurorë me lule dhe është përulur me respekt pranë arkivolit me trupin e pajetë të një prej figurave të mëdha të muzikës klasike shqiptare.
“Nina Mula është burim frymëzimi për një brez të tërë”, tha kryebashkiaku.
Ditën e djeshme, krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri apo kryetarja e Kuvendit ngushëlluan familjen e sopranos së mirënjohur Nina Mula ndërsa e kanë cilësuar vdekjen e saj si një humbje të madhe për skenën shpiptare.
Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi. Në konservatorin e Moskës ajo u njoh me studentin shqiptar, Avni Mula, dashuria për të cilin do të bënte të vinte në Shqipëri. Emërohet soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976. Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70.
Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë.
Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve! Pamjet me dron

Vlorë/ Vazhdon zjarri në fushën e mbetjeve! Pamjet me dron