Lamtumira, princ Leka:
"Në gjurmët e babait"

Lamtumira, princ Leka:<br />
Në Tiranë u mbajt sot ceremonia shtetërore funebër në nder të pretedentit të fronit mbretëror Leka Zogu I. Në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë  janë zhvilluar homazhet, sikundër ishte përcaktuar edhe me një vendim të posaçëm të Qeverisë shqiptare. Kësisoj, Leka Zogut i janë bërë të gjitha nderimet si të një funksionari të lartë shtetëror.

Trupi i pajetë i Leka Zogut I u vendos në sallën e kuvendit ku për më shumë se 2 orë u zhvilluan homazhet në nder të tij.

Në oborrin e Kuvendit rreth orës 10.00 ka mbërrritur princi Leka Zogu II, i shoqëruar nga e fejuara e tij Elia Zaharia dhe përfaqësues të oborrit mbretëror, të cilët kanë pritur ngushëllimet e rastit. Në homazhe morën pjesë presidenti Topi, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli, deputetë, diplomatë të huaj të akredituar në vendin tonë. Ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Vendi është në zi kombëtare dhe flamujt janë ulur në gjysëm shtizë.

Në orën 12.00 arkivoli me trupin e pajetë të ish pretendentit për fronin mbretëror është vendosur në oborrin e Kuvendit, ku ka vijuar ceremonia funebër shtetërore për t'u nisur më pas drejt varrezave të Sharrës.

DREJTUESIT FETARË LUTJE PËR LEKA ZOGU-N I
Pasi ka dalë nga godina e Kuvendit të Shqipërisë, arkivoli me trupin e Leka Zogut është vendosur në oborrin e Kuvendit ku kryetari i Komunitetit Myslim Shqiptar, Selim Muça ka drejtuar lutjen për shpirtin e ish pretendentit për fronin mbretëror.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike, i cili ka lexuar pjesë nga Bibla e Shenjtë.
Përfaqësuesi i lartë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve tha se: Besimtarët nuk vdesin, por ndërrojnë vendin, nga e përkohshmja në të përhershmen.”


PËFUNDOJNË HOMAZHET, BASHA FJALIM LAMTUMIRE
Kryebashkiaku Basha ka mbajtur fjalimin e lamtumirës, duke e cilësuar ish pretendentin për fronin mbretëror si mbrojtësin më të mirë të idealit shqiptar.
“Leka Zogu përgjatë një jete të tërë në mërgim të detyruar për shkak të diktaturës komuniste, nuk e ndau asnjëherë vëmendjen nga çështja e Kosovës.
Prania e tij u ndie në shumë familje mbretërore në mbarë botën për të ngritur zërin.
Ndarja e tij e parakohshme na ka lënduar thellë.
Leka Zogu është i biri I Ahmet Zogut, mbret i shqiptarëve”, tha Basha.

KORTEZHI NISET DREJT VARREZAVE
Nën muzikën funebër të bandës frymore të Gardës së Republikës, kortezhi mortor me arkivolin e Leka Zogut I është nisur drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i tij.
Trupi u shoqërua nga personalitetet më të larta të vendit, presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, diplomatë të huaj si dhe mjaft qytetarë e mbështetës së figurës së ish pretendentit për fronin mbretëror.

BETIMI I PRINC LEKËS: UNË, NË GJURMËT E BABAIT
Princ Leka Zogu II, pinjolli i fundit i mbetur nga familja e mbretit të dikurshëm Ahmet Zogu është betuar përpara arkivolit të të atit.
“Do të ndjek rrugën e gjyshit dhe babait tim në shërbim të kombit dhe të atdheut”, tha ai gjatë ceremonisë në varrezat e Sharrës.

LAMTUMIRA PËR LEKA ZOGUN-N
Trupi i pajetë i ish pretendenti për fronin mbretëror, Leka Zogu I është përcjellë për në banesën e tij të fundit.
Ceremonia mortore ka përfunduar në varrezat publike të Sharrës, në periferi të Tiranës.
Sikundër e kërkon edhe protokolli shtetëror për nder të Leka Zogut janë shkrepur dy të shtëna armësh nga Garda e Republikës.


  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Pogradec, një i plagosur me armë zjarri në fshatin Stropckë, nuk dihen shkaqet

Pogradec, një i plagosur me armë zjarri në fshatin Stropckë, nuk dihen shkaqet