Një superjaht elegant çan ujërat e kristalta, si të ishte dalë nga një film i James Bond-it, dhe të bën të pyesësh se cilët milionerë mund të jenë duke shijuar jetën në bord. Por një video e publikuar nga The Sun, e shoqëruar me muzikë në sfond, nuk reklamon pushime luksoze. Është shumë larg kësaj.

Përkundrazi, The Sun zbulon se një bandë britaniko-shqiptare është e angazhuar në kontrabandimin e shqiptarëve përmes Kanalit Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar me mjete të tilla lundruese, dhe shumë prej tyre kanë vuajtur më parë dënime me burg në Britani, përpara se të deportoheshin.

Ky lloj transporti ngjall më pak dyshime sesa gomonet e shumta që kalojnë çdo ditë nga Franca, ndërsa jahtet që ankorohen në marina të vogla mund t’u shmangen kontrolleve më të rrepta që kryhen në portet më të mëdha. Investigimi i The Sun vjen pasi muajin e kaluar zbuloi se mijëra emigrantë të dënuar, të cilët ishin dëbuar nga Britania, ishin rikthyer fshehurazi në Britaninë e Madhe.

Reklama në TikTok

Një gazetar i The Sun iu përgjigj reklamës së dyshimtë në TikTok për udhëtimin me jaht dhe u prezantua si një shtetas shqiptar që kishte vuajtur dënimin në burgun Wandsworth, në jugperëndim të Londrës, përpara se të deportohej. Pasi u bindën se personi ynë ishte i vërtetë, drejtuesi i grupit kërkoi një numër telefoni celular dhe biseda vijoi në WhatsApp, ku një prej anëtarëve të bandës përdorte një numër britanik. Më pas ata kërkuan 15,500 paund për një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda dhe do të ankorohej pranë Doverit.

Burri në telefon tha:“Kam një vend të lirë në varkë sot. Është një jaht i madh, luksoz. Pranojmë vetëm para në dorë.”

Duke propozuar një takim, ai shtoi: “Paratë i pranojmë vetëm në Shqipëri.”

Ne kërkuam ta shihnim në një video-telefonatë përpara se të pranonim marrëveshjen, por pasi ra dakord, ai vetëm përshëndeti shkurt me dorë dhe më pas ia kaloi telefonin një anëtari tjetër të bandës, i cili premtoi një “udhëtim të qetë dhe të sigurt”.

Ky person i tha gazetarit të The Sun se edhe ai vetë kishte qenë i dënuar më parë dhe ishte deportuar pasi kishte vuajtur 1 vit e 10 muaj burg në Doncaster, për shitje kokaine.

Ai tha: “Kam katër persona në të njëjtën situatë si ti, që do të jenë në këtë udhëtim pas pak ditësh. Mos u shqetëso për këtë. Kemi shpenzuar 50 mijë euro për të marrë me qira një jaht për këtë punë.”

Kontrabandisti konfirmoi se drejtuesit e jahtit do të ishin shqiptarë dhe premtoi se në bord nuk do të kishte më shumë se 10 pasagjerë. Sipas tij, jahti kishte “tre dhoma luksoze”.

Kur u pyet nëse kishte dërguar njerëz në Britani kohët e fundit, ai u përgjigj: “Para dhjetë ditësh dërguam me sukses 11 djem. Po të dërgoj mesazhe nga katër djem që kanë qenë në burg në Mbretërinë e Bashkuar.”

Më pas ai dërgoi një pamje nga WhatsApp ku shpjegohej se tre nga katër emigrantët “kishin probleme në Britani” dhe “kishin frikë se mos deportoheshin sërish”.

Shqetësues ishte edhe fakti që ai tha se një anëtar i familjes së gazetarit duhej ta takonte në një kafene dhe t’i dorëzonte shumën e parave, përpara se atij t’i lejohej të hipte në jaht. Banda tha se shoferë do t’i merrnin nga një port pranë Doverit dhe më pas do t’i çonin në Londër.

Ai shtoi: “Mos ki frikë, në rregull?”

Biseda mes trafikantit dhe gazetarit të The Sun

Muajin e kaluar, The Sun zbuloi se 4,614 persona janë rikthyer në Britani gjatë pesë viteve të fundit pasi ishin deportuar. Të paktën 723 persona ishin dëbuar dy ose më shumë herë, ndërsa Ministria e Brendshme britanike ka pranuar se shifrat mund të jenë edhe më të larta, pasi jo të gjithë mund të identifikohen përmes kontrolleve të mëparshme të identitetit.

Shqiptarët përbënin më shumë se një të tretën e të gjitha rasteve, me 1,525 persona të gjetur sërish në Britani pasi ishin detyruar të largoheshin.

Zia Yusuf, zëdhënësi i Reform UK për çështjet e brendshme, tha dje për The Sun se ky rast është një shembull i qartë se pse Britania është kthyer në një “objekt talljeje kombëtare” për mënyrën se si menaxhon emigracionin.

Ai tha: “Ndërsa publiku britanik lufton për të përballuar miliardat e paundëve që shpenzohen për emigracionin e paligjshëm, trafikantët e qenieve njerëzore na tallin duke ekspozuar pasurinë e tyre para syve tanë. Konservatorët e kthyen Britaninë në një derë rrotulluese për emigracionin e paligjshëm, ndërsa Laburistët refuzojnë ta zgjidhin problemin. Asnjë shtet që respekton veten nuk dështon në kontrollin e kufijve në një masë të tillë. Reform UK do të ndalonte dhe deportonte çdo emigrant të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të siguronte që ata të mbeteshin të deportuar.”

Por banda që kontaktuam në TikTok është larg të qenit e vetmja që zhvillon këtë aktivitet hapur, pasi jahtet po përdoren gjithnjë e më shumë për të futur emigrantë në Britani.

Pesë persona u arrestuan në maj, pasi një jaht që transportonte shtatë persona drejt Mbretërisë së Bashkuar u ndalua në brigjet jugore të Anglisë.

Dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik 42-vjeçar dhe një shqiptar 25-vjeçar, u arrestuan nën dyshimin për lehtësim të emigracionit të paligjshëm. Tre persona të tjerë u morën në pyetje, pasi dyshoheshin se do të prisnin pasagjerët në breg. Ndërsa në mars, dy shtetas ukrainas u dënuan me burg për ofrimin e një shërbimi premium të kontrabandimit të emigrantëve me jaht.

Vladyslav Cherniavskyi, 38 vjeç, dhe Oleksandr Yavtushenko, 43 vjeç, kishin marrë 13 mijë paund nga secili prej pesë shqiptarëve dhe një vajze të re vietnameze për udhëtimin, por u ndaluan katër milje larg Chichester, në Ëest Sussex, në korrik të vitit të kaluar. Cherniavskyi, pronari i jahtit, dhe Yavtushenko, kapiteni i tij, u dënuan respektivisht me pesë dhe gjashtë vite burg.

The Sun ia raportoi gjetjet TikTok-ut, i cili brenda një ore e hoqi llogarinë. Platforma tha se ajo shkelte udhëzimet e komunitetit në lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore. Ndërkohë, statistikat zyrtare tregojnë se më shumë se 11 mijë emigrantë kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla këtë vit, ndërsa moti i ngrohtë mund të sjellë një rritje të mëtejshme për shkak të ujërave më të qeta.

Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të tretën e rasteve të rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar (1,525), të ndjekur nga rumunët (767), afganët (281), lituanezët (233) dhe irakianët (150).

Shifrat më të fundit tregojnë gjithashtu se 1,099 nga 53 mijë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Britani pa shtetësi britanike kanë përfunduar në burg, ndërsa shumë prej tyre i drejtohen kriminalitetit për të financuar stilin e tyre të jetesës.

Shqipëria ka aq shumë të rinj që jetojnë në Britani, saqë një qytet është pothuajse pa meshkuj të rinj.

Hasi, rreth tre orë larg me makinë nga Tirana, ka lidhje aq të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar, saqë shpalli një ditë zie kur Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në vitin 2022. Kryetari i bashkisë kishte vendosur edhe një fotografi të Madhërisë së Saj në zyrën e tij.

The Sun raportoi gjithashtu se familjet në fshatin e vogël Golaj, në veri të Shqipërisë, kursejnë dhe bashkojnë paratë për të dërguar të rinjtë me varka drejt Britanisë. Po ashtu zbuluam se dy vëllezër bosë droge, të cilët drejtonin një operacion të madh trafiku droge nga një shtëpi në veri të Londrës, fituan aq shumë para sa ndërtuan një atraksion turistik, Solis Farm, shumë të vizituar në Shqipëri.

Dy personat pas këtij investimi ishin Hajdar Copja, 40 vjeç, dhe vëllai i tij Franc Copja, 33 vjeç, të cilët drejtonin një perandori ndërkombëtare droge nga një shtëpi me tarracë në Tottenham.

Franci e kalonte ditën në telefon duke kontaktuar trafikantë droge në Amerikën e Jugut dhe më pas organizonte pagesat për doganierë dhe punonjës portesh të korruptuar, të cilët ndihmonin në kontrabandimin e drogës me vlerë miliona paund drejt Britanisë, shumica e fshehur në rimorkio.

Një nga kartelët më famëkeqe shqiptare është Hellbanianz, një grup trafikantësh droge me bazë në kompleksin Gascoigne Estate, në Barking, në lindje të Londrës. Ata nuk kanë ngurruar të ekspozojnë jetën e tyre luksoze me makina të shtrenjta, veshje firmato dhe armë në duar. Madje realizuan edhe një videoklip muzikor me titull "Poppin Smoke", ku shfaqeshin duke drejtuar mjete ushtarake të pajisura me mitralozë të rëndë nëpër kompleksin e banimit.

Ndërsa bandat shqiptare vazhdojnë të mbajnë një kontroll të fortë mbi një pjesë të madhe të tregut të kokainës në Britani, besohet se drejtuesit e tyre janë zhvendosur në Dubai, ku janë shfaqur në rrjetet sociale duke lëvizur me automjete Rolls-Royce. Është një jetë që shumica e shqiptarëve vetëm mund ta ëndërrojnë, dhe duket se shumë prej tyre tani po përpiqen ta nisin atë me stil, duke mbërritur në Britani me jaht./The Sun