MYNIH – Landi i Bavarisë po planifikon botimin në Gjermani në vitin 2015 të librit të kujtimeve të Hitlerit Mein Kampf, përpara se e drejta e botimit të skadojë. Libri nuk është i ndaluar me ligj në Gjermani, por landi i Bavarisë ka përdorur të drejtën e botimit, që e zotëron prej vitit 1945, që libri të mos botohej asnjëherë.

E drejta e botimit mbi librin mbaron në fund të vitit 2015, 70 vjet pas vdekjes së Hitlerit.

Landi i Bavarisë thotë se do të përgatisë një edicion të librit për studiuesit, shoqëruar me një koment kritik.

Hitleri e shkroi Mein Kampf (Lufta Ime) në vitin 1924, ndërsa vuante një dënim me burg për tentativë grusht shteti.

Libri tashmë është përkthyer dhe botuar në shqip dhe u shoqërua me një sërë debatesh në media, përfshirë edhe një reagim të ambasadores gjermane pikërisht në lidhje me të drejtën e botimit.

(ep/shqiptarja.com)