Ministri i Mbrojtjes të Laosit, kryetarja e Kuvendit, një guvernator lokal dhe të tjerë zyrtarë të lartë kanë humbur jetën në një aksident tragjik ajror, pas rrëzimit të një avioni me 20 persona në bord. Ngjarja tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur avioni i Forcave Ajrore me zyrtarë të lartë të Laosit në bord, është rrëzuar  në provincën Xiangkhouang, afro 500 km larg kryeqytetetit Vientiane, nga ku dhe ishte ngritur avioni.

Në bord ndodheshin rreth 20 persona, mes të cilëve edhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit të Laosit, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për viktimat. Grupi i zyrtarëve të lartë po udhëtonte për një ceremoni zyrtarë në Xiangkhouang. Thuhet se po hetohet shkaku i aksidentit, por nuk është dhënë asnjë informacion i sigurtë për pasagjerët apo viktimat.

Laosi, një vend me rreth 7 milionë banorë udhëhiqet nga një qeveri njëpartiake komuniste autoritare dhe është një prej vendeve më të varfra të Azisë. Në tetor të vitit të kaluar një avion civil u rrëzua në lumin Mekong për shkak të kushteve të këqija të motit duke lënë të vrarë 49 personat që ndodheshin në bord.

harta avioni tajlande laos
(Në hartë, vendi ku u rrëzua avioni)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)