SOLDEN, Austri - Një sezon më parë Lara Colturi u rendit në vendin e 16-të në pistën e Solden në Austri, ndërsa sot, në debutimin e Kupës së Botës së këtij sezoni, skiatorja italo-shqiptare ia doli të renditet në vendin e shtatë.
E veshur me ngjyrat kuqezi dhe mes 25 mijë tifozëve të pranishëm në zonën rreth pistës, Lara Colturi (18 vjeç) pa shumë flamuj të Shqipërisë që valviteshin për të. Veç saj, shumë pankarta në gjuhën italiane tregonin se shumë qytetarë të huaj bënin tifo për të dhe Shqipërinë. Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë debutoi në Kupën e Botës së këtij sezoni dhe ia doli që me kohën 2 minuta, 18 sekonda e 27 të qindtat ta shikonte veten në vendin e shtatë në disiplinën e slalomit gjigant.
Në lëshimin e parë Lara Colturi mundi të kapte kohën 1 minutë, 9 sekonda e 14 të qindtat për vendin e katërt, duke mos e patur të vështirë kualifikimin mes 30 sportisteve që do merrnin pjesë në lëshimin e dytë, nga 66 garuese në total.
Në lëshimin e dytë, Colturi u rendit në pozitën e 25-të me kohën 1 minutë, 9 sekonda e 13 të qindtat, pa mundur t'i shtojë disa të qindtat vetes për të synuar podiumin.
Vendi i parë u sigurua nga austriakja Julia Scheib me kohën 2 minuta 16 sekonda e 51 të qindtat, ndërsa në podium u ngjitën edhe amerikania Paula Moltzan dhe zvicerania Lara Gut-Behrami (bashkëshortja e ish-futbollistit shqiptar Valon Behrami). Në vendin e katërt u rendit 'mbretëresha' e kësaj disipline, amerikania Mikaela Shiffrin që ka 101 fitore në Kupën e Botës dhe dominon prej 13 vitesh.
Lara Colturi ka qenë 1 sekondë e 76 të qindtat pas vendit të parë dhe ndalesa e radhës për Kupën e Botës është pas tre javësh në Finlandë (15 nëntor). Colturi është duke u përgatitur për Olimpiadën Dimërore Milano-Cortina 2026 dhe po i shton pikë të rëndësishme vetes në Kupën e Botës.
Renditja në Solden të Austrisë për Kupën e Botës për Skitë Alpine
Në Solden të Austrisë skiatorja Lara Colturi u rendit e shtata në çeljen e Kupës së Botës. Pas garës ajo tregoi emocionet dhe planet për të ardhmen.
"Emocionet pas garës - Po, kam qenë shumë e emocionuar për këtë garë dhe jam e lumtur për punën e bërë. Ka qenë një garë e vështirë, lëshimi i parë nuk ka qenë keq, por kemi gjëra për t'u përmirësuar dhe kam punë përpara.
Gara e parë në Solden - Hapja e sezonit këtu është me emocione dhe ishte një nisje e mirë.
Gara e radhës - Është një garë edhe psikologjike dhe jam me fat që kam ekipin tim që më mbështet gjatë gjithë kohës.
Shumë tifozë shqiptarë sot për ty me flamuj kuqezi - Jam shumë krenare që jam pjesë e këtij kombi.
Një mesazh për të rinjtë - Duhet të punojnë shumë për të realizuar ëndrrat që kanë.
Botërori - Duhet të jem e fokusuar në anën teknike dhe të punoj në defektet e garave. Sigurisht që duhet të argëtohesh", tha Colturi për RTSH pas garës.
Komente









