Largimi i Veliajt hap rrugën për 
ndryshimet në qeveri, ja emrat

Largimi i Veliajt hap rrugën për <br />ndryshimet në qeveri, ja emrat
TIRANE - Përzgjedhja e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj nga kryeministri Rama kandidat per Bashkine e kryeqytetit mund t’i hap rrugë ndryshimeve në kabinetin qeverisës. Zëvendësimi i Erion Veliajt nuk do të jetë zgjedhja e vetme që kryeministri Rama do të duhet të bëjë këto muaj. Marrëveshjet e nënshkruara me aleatët dhe firmosja për bashkëqeverisje do të sjellin ndryshime në disa institucione, madje edhe në ndonjë ministri.

Burime pranë mazhorancës bëjnë me dije se pavarësisht marrëveshjes me disa forca politike, përfshirë edhe Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Rama nuk preferon që ministrinë e drejtuar nga Veliaj t’ia lërë aleatëve. Arsyet për këtë vendim janë disa.

Gjatë drejtimit të kësaj ministrie nga Erion Veliaj, qeveria arriti të realizonte reformën e pensioneve, reformë e cila përveç faktit se ishte një premtim elektoral është një nga arritjet më të rëndësishme për dy vitet e para të qeverisë. Gjithashtu shpërndarja e disa kësteve për ish-të përndjekurit politikë, shtresë e cila kishte shfaqur shumë pakënaqësi më parë është një tjetër arsye për të cilën, kryeministri nuk do të dëshirojë që Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ta lërë në dorën e aleatëve.

Emrat që qarkullojnë deri tani për drejtimin e kësaj ministrie janë ato të ministres aktuale Eglantina Gjermeni dhe deputetes Olta Xhaçka. Gjithashtu mes emrave të pritshëm për në Qeveri është ai i Blendi Klosit, - i diskutuar më parë si kandidat për Tiranën, - dhe i Eduard Shalsit.

Lëvizja e ministres së Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni në vend të ministrit Veliaj, do të linte një post ministror bosh i cili mendohet që t’i lihet aleatëve të rinj të PDIU. Më shumë se sa një marrëveshje parazgjedhore, firmat e hedhura nga kryeministri Rama e kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi kanë vlerë për bashkëqeverisjen dhe ndarjen e posteve të caktuara në qeveri. Partia e Idrizit ka shfaqur ambicien për një post në qeveri pa përcaktuar konkretisht se cilën ministri lakmon.

Krahas një ministrie, Rama mësohet të ketë negociuar me Shpëtim Idrizin edhe për postin e një zv/ministri që sipas të gjitha gjasave do të jetë ai në Ministrinë e Jashtme. Një tjetër emër i përfolur si zëvendësuese e ministrit Veliaj pasi ai të heq dorë nga posti i ministrit është ai i deputetes Olta Xhaçka. Kryeministri ka treguar se ka ditur të bashkëpunojë shumë mirë me gratë në qeveri.

Kështu dorëheqja e një ministri nga qeveria Rama do të bëjë precedentin e dytë në këto dy vite qeverisje. Në verën e vitit të kaluar ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi për arsye personale u dorëhoq nga posti i ministrit, duke lënë vend vakant vendin e tij. Kreu i qeverisë Rama zgjodhi që menjëherë në vend të Celibashit në ministrinë e krijuar pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 të emëronte deputeten e qarkut të Beratit, Ermonela Felaj.

Ndaj edhe përzgjedhja e një tjetre deputeteje femër apo edhe një ministreje aktuale në vend të Erion Veliaj është e mundur. Sot Rama pritet të përmbyllë një tjetër marrëveshje me një aleat të ri, Bamir Topin e Frymës së Re Demokratike. Ish-Presidenti Bamir Topi ka qenë i kujdesshëm në të gjitha daljet e tij për të theksuar se është një forcë politike e qendrës së djathtë, megjithëse pritet të bëhet pjesë e një koalicioni të majtë.

Megjithatë kryeministri Rama aleancat e nënshkruara me krerët e forcave politike më shumë se sa për zgjedhjet vendore të 21 qershorit duke se po i përgatit për betejën e vitit 2017 në të cilën do të kërkojë të rikonfirmojë qeverinë e tij. Edhe për Topin, Rama pritet të ofrojë disa numra në Këshillat Bashkiak dhe dy poste zv/ministrash.    

Poste për PDIU
Firmat e hedhura nga kryeministri Rama e kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi kanë vlerë për bashkëqeverisjen dhe ndarjen e posteve të caktuara në qeveri. Rama mësohet të ketë negociuar me Shpëtim Idrizin edhe për postin e një zv/ministri që sipas të gjitha gjasave do të jetë ai në Ministrinë e Jashtme

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Qeveria me strategji të re/ S’ka më përjashtime nga taksat, mbështetja e bizneseve apo individëve do të bëhet me kompensime e financiare

Qeveria me strategji të re/ S’ka më përjashtime nga taksat, mbështetja e bizneseve apo individëve do të bëhet me kompensime e financiare