TIRANE - “Kam dhënë dorëheqjen nga PD-ja pasi kjo parti dominohet nga një grup njerëzish, që e keqqeverisin atë”, - kështu e ka shpjeguar largimin e tij nga Partia Demokratike për A1REPORT! ish-dhjetoristi Besnik Jakaj.

Ai ka sqaruar se “PD-ja dhe strukturat e saj nuk funksiojnë në mënyrë legjitime, pasi një grup i ka marrë peng strukturat e saj dhe i përdor ato për interesat personale. Ky grup sqaroi ai vepron si “një klan nepotik” dhe nuk ka ato principe, që PD - ja kishte kur u themelua.

Jakaj ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike tha se ka qenë aktiv gjatë jetës së tij politike për 20 vjet, por PD-ja ka katër vite, që nuk mblidhet të diskutojë për programet e vendit ashtu siç veprohet në çdo vend tjetër.

Ai shtoi se për këtë çështje ka biseduar edhe me anëtarët e tjerë të Këshillit të PD-së nëpër rrethe dhe se ka një grup njerëzish, që e mbështesin në qëndrimet e tij.

I pyetur nga gazetari në studio Edvin Parruca nëse kjo dorëheqje do të thotë edhe largim nga politika ai tha se “Jam angazhuar që në 91-shin dhe do jem aktiv në politikë.

DEKLARATA E PLOTE E BESNIK JAKAJ PER LARGIMIN NGA PD

Unë, Besnik Jakaj, me profesion mjek nefrolog, si kontribues prej 20 vjetësh në Partinë Demokratike, si anëtar i zgjedhur në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, për 12 vjet, në tre kuvende, por edhe si profesionist i një fushe të caktuar dhe qytetar, duke vëzhguar zhvillimet politike brenda Partisë Demokratike dhe sjelljet e Qeverisë që buron nga kjo e fundit, natyrshëm më rezulton se Partia Demokratike dhe Qeveria e saj janë shkëputur nga realiteti dhe po vuajnë nga “sindroma e lodhjes nga pushteti”.

Kjo situatë është shkaktuar nga një grup njerëzish rreth liderit, të cilët me etje për pushtet dhe për të përfituar në mënyrë të pandershme dhe të paligjshme nga pushteti, kane bllokuar dhe izoluar strukturat legjitime të partisë, duke i anashkaluar e mosvlerësuar ato, duke mos i mbledhur mbi bazën e statutit e me frymë legjitime, për të diskutuar zhvillimet politike e qeverisëse për të cilat janë të mandatuara.

Fatkeqësisht, më rezulton se ky grup është i ndërtuar mbi baza nepotike e interesa financiare, dhe ka marrë peng strukturat e Partisë Demokratike e të Qeverisë.

Ky grup, për të realizuar qëllimet e veta, duke kontrolluar Partinë Demokratike dhe qeverisjen e vendit, nuk është mbështetur tek njerëzit me kontribute politike në PD, me vlera morale dhe aftësi intelektuale. Për këtë kanë përzgjedhur elemente të vecantë, brenda dhe jashtë strukturave të partisë, të gatshëm t’i shërbejnë pa u ndjerë interesave të grupit.

Kushdo tjetër që nuk mendon si ata e nuk “duartroket” për ta, për mirë a për keq, në rastin më të mirë etiketohet “i pabesueshëm” e në rastin më të keq “armik i partisë e i pushtetit”.

E gjithë kjo, në kohë të gjatë, është shndërruar në një sëmundje të pashërueshme për PD-në e qeverinë e saj, duke e bërë irreversibël dhe të pamundur për tu shëruar me terapi të përkohshme.

Kjo ka çuar në shkëputjen e lidershipit të drejtimit të partisë e të qeverisë, nga strukturat e bazës së partisë, nga elektorati, nga hallet e shqetësimet e qytetarëve si dhe nga problemet e zhvillimit dhe integrimit të vendit.

Ka 4 vjet që nuk mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, organi statutor me i lartë i drejtimit të partisë nga kuvendi në kuvend, i cili nuk ka kryer as minimumin e funksionit të tij statutor, pra zgjedhjen e nënkryetarëve dhe sekretariatit të partisë, e jo më të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme për të analizuar dhe diskutuar mbi qeverisjen e vendit, programin me të cilin dilet përpara qytetarëve, figurat që do ta përfaqësojnë Partinë Demokratike në qeverisje, etj. Gjithçka është bërë në mënyrë jolegjitime dhe jotransparente me strukturat e Partisë Demokratike.

Në këto kushte, çdo ide dhe shqetësim që lind për të përmirësuar punën e partisë e të Qeverisë, në shërbim të zhvillimit e integrimit të vendit, nuk mund të ngrihet nëpërmjet strukturave në mënyrë legjitime.

Unë mendoj, se grupi rreth liderit në Partinë Demokratike, nuk ka kapacitetet, energjitë dhe frymëzimin e gjenezës së themelimit të PD-së, për të përmbushur misionin për të cilin kjo parti ka lindur në fillim të viteve “90, prandaj duhen gjetur të gjitha format e reagimit e të sensibilizimit për të ndryshuar këtë gjendje.

Pavarësisht dëshirës e vullnetit tim, si një prej atyre që kam parashtruar ide dhe shqetësime në mënyrë të vazhdueshme me kolegët e mi në PD, i ndodhur përpara alternativës së kalimit në pasivitet ose miratimit në heshtje të kësaj “status quo”- je, unë kam zgjedhur heqjen dorë nga të gjitha funksionet drejtuese të Partisë Demokratike, për të mos qenë në shërbim të grupit që ka marrë peng strukturat e PD-së dhe qeverisjen e saj.

Kjo është një formë reagimi personal dhe sensibilizimi public, për situatën aspak të këndshme brenda partisë demokratike dhe qeverisjes së saj.

Duke qenë i bindur, se vendimi që kam marrë për tu ndarë nga ky lidership, është në të mirë të anëtarëve të Partisë Demokratike dhe qytetarëve shqiptarë, i premtoj të gjithë mbështetësve të mi, brenda dhe jashtë Partisë Demokratike, si profesionist i një fushe të caktuar dhe qytetar i vetëdijshëm e i përgjegjshëm, se do të bëj të gjitha përpjekjet e mia intelektuale, brenda apo jashtë politikës, në të mirë të vendit tim dhe qytetarëve shqiptarë,

Duke ju lutur të më mirëkuptoni në këtë vendim timin të detyruar, për shkak të rrethanave të shpjeguara në këtë deklaratë,

Duke falenderuar me mirënjohje, të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike dhe qytetarët shqiptarë, që më kanë mbështetur në këto 20 vite në strukturat e Partisë Demokratike dhe në investimin tim politik brenda kësaj partie,

Si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, jap dorëheqjen e parevokueshme nga ky funksion dhe nga çdo funksion tjetër drejtues në strukturat e kësaj partie.

Ftoj të gjithë ata që kanë të njëjtat shqetësime me mua, ose të tjera të ndryshme, të cilët nuk janë të paktë në Partinë Demokratike, të gjejnë format e reagimit të tyre për të ndikuar në të mirë të Partisë Demokratike, vendit dhe qytetarëve shqiptarë.



Redaksia Online
(ad.ti/shqiptarja.com)