Lavdërimi i pushtetit të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe mbështetja për aneksimin rus të Krimesë janë pjesë e përmbajtjes së librit “Për Rusinë dhe rusët”, të cilin fondacioni “Bota ruse”, i sanksionuar nga Bashkimi Evropian, ua ka dhuruar shkollave në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

Fondacioni njoftoi në korrik se, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, siguroi pajisje dhe literaturë mësimore për 60 institucione arsimore në Serbi, në Republikën Sërpska dhe në Tunizi.

Librat dhe pajisjet u shpërndanë në shkollat ku mësohet gjuha ruse.

Sipas fondacionit, donacioni përfshin dhjetëra shkolla në Serbi dhe 27 shkolla në Republikën Sërpska.

Për shkak të kufizimeve që lidhen me të drejtat e autorit, Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i shqyrtojë librat e tjerë të përfshirë në këtë donacion.

Ministritë përgjegjëse në Serbi dhe në Bosnje dhe Hercegovinë nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse e konsiderojnë problematike përmbajtjen e këtyre librave.

Përgjigje nuk dha as fondacioni “Bota ruse”, i cili u pyet për donacionin.

Fondacioni financohet nga Qeveria e Rusisë dhe është themeluar në vitin 2007 me dekret të presidentit rus, Vladimir Putin.

Alexander Meienberger, studiues dhe autor i një libri mbi veprimtarinë e fondacionit “Bota ruse”, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është i befasuar nga përmbajtja e librit të dhuruar shkollave.

“Fondacioni ‘Bota ruse’ paraqitet si një organizatë e përkushtuar për promovimin e gjuhës dhe kulturës ruse, por veprimtaria e tij gjithmonë ka pasur edhe një komponent ideologjik”, thotë ai.

Pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, fondacioni u përfshi në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, autoritetet në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës vazhduan ta thellojnë bashkëpunimin me Rusinë, edhe pas nisjes së luftës.

Serbia, ndonëse vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Moskës.

Përmbajtja me motive ideologjike

Në fillim të korrikut, Shkolla Fillore “Isidora Sekuliq” në Shajkash, afër Novi Sadit në veri të Serbisë, njoftoi në Facebook se kishte marrë një donacion nga fondacioni rus “Bota ruse”.

Sipas shkollës, donacioni përfshinte libra dhe laptopë, të cilët, siç u tha në njoftim, “kanë kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e mësimdhënies dhe mësimit të gjuhës ruse”.

Megjithatë, njëri prej librave të dhuruar - “Për Rusinë dhe rusët” - përmban kapituj me përmbajtje ideologjike, ku lavdërohet pushteti i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe mbështetet aneksimi i Krimesë nga Rusia.

Shkolla njoftoi se me fondacionin “Bota ruse” ka një bashkëpunim të suksesshëm prej disa vitesh. Ndërsa, vetë fondacioni bëri të ditur se kishte dorëzuar pajisje dhe literaturë për 16 shkolla në Serbi.

Ceremonia e dorëzimit u ndoq edhe nga transmetuesi publik Radio-Televizioni i Vojvodinës, kurse në pamjet e publikuara shiheshin libra në gjuhën ruse - për gjuhën, kulturën dhe historinë e Rusisë.

Mes tyre ishte edhe libri “Për Rusinë dhe rusët” - një manual për ata që mësojnë rusishten si gjuhë të huaj, i cili trajton gjeografinë, historinë dhe kulturën e Rusisë.

I njëjti libër shihet edhe në fotografitë e publikuara nga ceremonia e dorëzimit të donacionit të fondacionit për shkollat në Republikën Sërpska.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes, Radio Evropa e Lirë konstatoi se në disa pjesë libri paraqet interpretime të historisë bashkëkohore në përputhje me narrativin zyrtar të Kremlinit.

Botimi që pa REL-i është i vitit 2015, pra është publikuar shtatë vjet para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Në kapitullin kushtuar Rusisë bashkëkohore thuhet se, pas ardhjes së Vladimir Putinit në pushtet në vitin 1999, Rusia “filloi të ndiqte një politikë të jashtme më të pavarur”.

Libri thekson gjithashtu se ekonomia “u forcua ndjeshëm” dhe se “standardi i jetesës së qytetarëve rusë u përmirësua”, duke shtuar se këto arritje i siguruan Putinit edhe një mandat tjetër presidencial.

Putin është në pushtet në Rusi për gati 27 vjet.

Për të shmangur kufizimet kushtetuese mbi numrin e mandateve presidenciale, ai i ka alternuar postet e presidentit dhe kryeministrit.

Një nga kapitujt e librit mban titullin “Kthimi i Republikës së Krimesë në Rusi”.

Në të thuhet se, në mars të vitit 2014, banorët e Gadishullit të Krimesë “mbajtën një referendum, në të cilin vendosën të shkëputeshin nga Ukraina dhe t'i bashkoheshin Rusisë”.

Libri nuk përmend se aneksimi i Krimesë nuk është njohur nga shumica dërrmuese e shteteve në botë dhe se komuniteti ndërkombëtar e konsideron gadishullin pjesë të territorit të Ukrainës.

Rusia e pushtoi dhe më pas e aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Aneksimi shënoi fillimin e luftës në Ukrainë, e cila u përshkallëzua me pushtimin në shkallë të plotë të nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Çfarë përgjigjesh dhanë shkollat dhe institucionet?

Fondacioni “Bota ruse” dhuroi libra edhe për Gjimnazin e Tetë të Beogradit.

Drejtuesit e shkollës shkruan në Instagram se donacioni paraqet “një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për mësim dhe zhvillimin e nxënësve tanë”.

Megjithatë, as kjo shkollë dhe as Shkolla Fillore “Isidora Sekuliq” nuk iu përgjigjën zyrtarisht pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me donacionin.

Burime jozyrtare nga shkolla “Isidora Sekuliq” thanë për REL-in se librat janë vetëm donacion dhe se nuk përdoren në procesin mësimor.

Sipas tyre, mësimdhënësit nuk i kanë shqyrtuar ende librat.

Lidhur me këtë çështje, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Institutin për Përmirësimin e Arsimit dhe Edukimit të Serbisë - institucioni që jep vlerësime profesionale në procesin e miratimit të teksteve shkollore.

Instituti tha se nuk është përgjegjës për miratimin e donacioneve me libra dhe se nuk mban evidencë për botimet që shkollat marrin si dhuratë.

Po ashtu, bëri të ditur se libri “Për Rusinë dhe rusët” nuk i është dorëzuar institucionit për vlerësim profesional, sipas procedurave të parashikuara me Ligjin për tekstet shkollore.

Megjithatë, shtoi se fakti që një libër gjendet në bibliotekën e një shkolle nuk do të thotë se ai e ka statusin e tekstit mësimor.

“Literaturën shtesë dhe manualet për mësimdhënësit, arsimtarët mund t’i zgjedhin dhe t’i përdorin në përputhje me kompetencat e tyre dhe me nevojat konkrete të mësimit”, thuhet në përgjigjen e Institutit.

Literaturë nga fondacioni “Bota ruse” iu dhurua edhe shkollave në Republikën Sërpska, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të Institutit Pedagogjik të Republikës Sërpska dhe Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës së këtij entiteti.

Ceremonia u mbajt në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Republikës Sërpska, e cila që nga viti 2012 strehon Qendrën Kulturore Ruse, të themeluar nga fondacioni “Bota ruse”.

Qendra disponon rreth 1.000 tituj librash dhe materiale multimediale, ndërsa, sipas bibliotekës, synimi i saj kryesor është promovimi i gjuhës ruse.

Sipas një njoftimi të publikuar nga biblioteka në Facebook, fondacioni “Bota ruse” aktualisht ka 48 qendra të tilla në 33 vende të botës.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Republikës Sërpska, si edhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës e këtij entiteti nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë donacion.

“Zgjerimi i fuqisë së butë ruse”

Alexander Meienberger, autor i librit “Fondacioni ‘Bota ruse’: Ideologjia, qëllimet dhe rrjeti”, ka studiuar veprimtarinë e këtij fondacioni në Austri dhe në Gjermani para pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Sipas tij, fondacioni krijoi qendra kulturore ruse dhe kabinete për mësimin e gjuhës ruse, si dhe financoi programe arsimore në këto vende.

“Veprimtaria e fondacionit nuk kufizohej vetëm në promovimin e gjuhës. Qëllimi ishte ndërtimi i rrjeteve afatgjata të njerëzve me simpati për Rusinë dhe krijimi i një imazhi pozitiv për kulturën dhe shtetin rus”, thotë ai.

Meienberger vlerëson se, pas vitit 2022, Ballkani, Afrika dhe Azia u bënë gjithnjë e më të rëndësishme për vazhdimin e këtyre aktiviteteve, pasi shumica e vendeve perëndimore ndërprenë bashkëpunimin me institucionet shtetërore ruse.

Sipas tij, kjo është pjesë e përpjekjeve të Moskës për të ruajtur dhe zgjeruar të ashtuquajturën ‘fuqi të butë’ në rajonet ku ende ka partnerë dhe hapësirë për ndikim.

Sipas njoftimeve të publikuara në faqen zyrtare të fondacionit, ndër aktivitetet e tij më të fundit janë edhe nismat për promovimin e gjuhës ruse në vendet afrikane, në Amerikën Latine dhe në Azi.

“Edhe pse fondacioni zakonisht nuk vepron si një kanal i drejtpërdrejtë propagande, aktivitetet e tij arsimore dhe kulturore kontribuojnë në përhapjen e interpretimeve të historisë dhe politikës ndërkombëtare që mund të përdoren për të justifikuar politikën e jashtme të Rusisë, përfshirë narrativët lidhur me Ukrainën dhe Krimenë”, thotë Meienberger.

Sanksionet dhe “mesazhet propagandistike”

Pikërisht për shkak të këtyre aktiviteteve, fondacioni “Bota ruse” u përfshi në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian në vitin 2022.

Në arsyetimin e BE-së thuhet se Federata Ruse e përdor këtë fondacion për të promovuar interesat e saj në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Edhe më herët, në vitin 2016, Parlamenti Evropian e cilësoi fondacionin “Bota ruse” si një instrument të propagandës së Kremlinit.

Në rezolutën e Parlamentit Evropian thuhet se Rusia e shfrytëzon fondacionin, së bashku me institucione dhe media të tjera, për të sfiduar vlerat demokratike, për të nxitur përçarje në Evropë, për të forcuar mbështetjen e brendshme për politikat e Kremlinit dhe për të përhapur dezinformata.

Aspekti ideologjik i veprimtarisë së fondacionit u bë edhe më i dukshëm pas vitit 2022.

Në faqen e tij zyrtare publikohen rregullisht përmbledhje të atyre që ai i quan “ngjarjet më të rëndësishme të javës” në kuadër të “operacionit special ushtarak” - termi që Moska përdor për pushtimin e Ukrainës - ku raportohen kryesisht sukseset e ushtrisë ruse në front.

Faqja publikon, gjithashtu, deklarata të zyrtarëve rusë për nevojën e “denazifikimit” dhe “demilitarizimit” të Ukrainës - terma që Kremlini i përdor për të justifikuar luftën kundër këtij vendi.

Në vitin 2024, vetë fondacioni organizoi seminarin “Denazifikimi në kulturë: Aspekte praktike”, të dedikuar për drejtues dhe punonjës të institucioneve kulturore në rajonet Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson - territore ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar në vitin 2022.

Fondacioni promovon edhe konceptin e “botës ruse”, të cilin e përkufizon si një komunitet që nuk përbëhet vetëm nga shtetas rusë, por edhe nga të gjithë ata që flasin, mësojnë ose japin mësime për gjuhën ruse, si dhe nga njerëzit që, sipas fondacionit, janë “sinqerisht të interesuar për Rusinë dhe të shqetësuar për të ardhmen e saj”.

Koncepti i “botës ruse” zë një vend qendror në doktrinën e politikës së jashtme të Kremlinit dhe synon promovimin e gjuhës, kulturës dhe fesë ruse në mbarë botën.

Kritikët e shohin atë si një instrument për zgjerimin e ndikimit politik dhe ideologjik të Moskës jashtë kufijve të saj./ REL