Lavrov arrin në Turqi për bisedime lidhur me eksportin e drithërave

Lavrov arrin në Turqi për bisedime lidhur me eksportin e drithërave

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nisi vizitën dyditore në Turqi, ku ai pritet të mbajë bisedime për zhbllokimin e eksporteve të drithërave nga Ukraina.

Në qendër të negociatave është edhe hapja e një korridori për anijet që transportojnë drithëra të Ukrainës. Turqia ka ofruar që të përcjellë anijet nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, të cilat janë bllokuar nga ofensiva e Moskës.

Lavrov është paraparë që më 7 qershor të takohet me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, për vazhdimin e bisedimeve dhe ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se ka parë “përparim të rëndësishëm” për një marrëveshje të mundshme që do të lejonte eksportet e drithërave.

Deklaratat e Akar erdhën disa orë para arritjes së Lavrovit në Turqi.

Rusia ka marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të bregdetit të Ukrainës qëkur ka nisur pushtimin më 24 shkurt, dhe luftanijet e saj kontrollojnë Detin e Zi dhe Detin Azov.

Presidenti rus, Vladimir Putin, javën e kaluar i tha homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, se Moska është e gatshme që të punojë me Ankaranë për të zhbllokuar eksportet detare.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më 7 qershor se Ukraina duhet të largojë minat nga bregdeti i saj, në mënyrë që të lejohet eksporti i drithërave.

“Kjo do t’i lejojë anijet, pasi të kontrollohen nga ushtria jonë për t’u siguruar se nuk kanë armë, të hyjnë në porte, të marrin ngarkesat me drithëra dhe me ndihmën tonë të lundrojnë në ujërat ndërkombëtare”, tha Peskov.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se dy portet kryesore ukrainase në Detin Azov që janë nën kontrollin rus –në Berdijanska dhe Mariupol – janë të gatshme të rinisin dërgesat me drithëra, por shtoi se Kievi duhet të çminojë këtë zonë në mënyrë që të mund të bëhet eksporti i mallrave.

Porti kryesor ukrainas në Odesa po ashtu është i bllokuar.

Ofensiva ruse në Ukrainë ka penguar furnizimet me grurë dhe produkte të tjera nga Ukraina dhe Rusia, duke rritur shqetësimet se mund të ketë mungesë të ushqimeve në mbarë botën./REL

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike