TIRANE- Ditët e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit dhe performanca e liderëve, kanë qenë tema e diskutimit në emisionin “Airport”. Të ftuar në emision në televizion “A1 Report” me moderatoren Mira Kazhani, Drejtoresha e ‘Shqiptarja.com”, Anila Basha, dhe gazetarët Marin Mema dhe Edison Kurani, janë ndalur tek problematikat që kanë shoqëruar këtë fushatë elektorale.
 
Në pjesën e parë të emisonit "Airport" vëmendje iu kushtua vendimit për përdorimin e kasetave të partive politike nga televizionet gjatë fushatës elektorale.
 
Gazetarët në panel thanë se gjatë kësaj fushate elektorale vihet re një interes më i ulët i njerëzve për të marrë pjesë në takime partiake.
 
Një tjetër temë kanë qenë inaugurimet e rrugëve të cilat nuk janë përfunduar ende në të gjithë komponentët e tyre.
 
Sa i takon ditës së zgjedhjeve dhe ditëve pas këtij procesi, paneli i gazetarëve ka dhënë opinionet e tyre lidhur me zhvillimet paszgjedhore.

“Kur ti stacionohesh në një KZAZ shikon mënyrat më të jashtëzakonshme për të manipuluar, për shembull edhe duke nxjerrë të pavlefshme fletën e votimit”, tha Mema.
 
Kurani tha se “klima e deritanishme është dukshëm pozitive, dhe jep shpresa për të qenë një ditë e qetë elektorale. Deri më tani ka qenë pak a shumë një fushatë model, ku dy koalicionet kryesore shpalosën programet e tyre, deri diku një fushatë amerikane përderisa u morën me taksën e sheshtë dhe me atë progresive. U arrit një stad më i lartë, u diskutua për tema më të rëndësishme. Kjo fushatë mendoj se po i paraprin një dite të qetë zgjedhjesh. Nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara e dimë se do të ketë problematika”.
 
“Shpresoj dhe besoj se shqiptarët do ta kenë datën 23 qershor një ditë feste. Dhe të ndiqen nga të gjithë këshillat, sugjerimet dhe vëmendja që ka treguar komuniteti ndërkombëtar, që të gjithë të flasim atë ditë me votë për të parë se kë duam të zgjedhim, për të parë se do t’i japim një mandat të tretë qeverisë aktuale, apo të japim një mandat qeverisës koalicionit të majtë, për të parë se çfarë do të sjellë rilindja”, tha drejtoresha e “Shqiptarja.com”, Anila Basha.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)