“Asnjë zonë industriale s’është funksionale”

Në Shqipëri ka 12 zona të miratuara industriale, por asnjë prej tyre nuk është funksionale. Ka deklaruar kështu dje ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, në konferencën “Rritja ekonomike në Shqipëri”. Sipas tij, sfida e radhës është që këto zona të vihen në punë. Ai deklaroi se në 300 ditët e ardhshme, sfidë e qeverisë shqiptare do jetë implementimi i një projekti pilot me zonat industriale, të cilat do t’i japin mundësi industrisë për eksportin.
 
“Kemi një qasje të re në zhvillimin ekonomik. Kemi një qasje të strukturuar në këto 6 muaj, duke marrë parasysh shifrat e eksporteve, shifra që vinë nga burime të pavarura,
siç është banka e Shqipërisë, INSTAT, etj. Para disa muajsh prezantuam paketën fasone, e cila është e para në këtë lloj. Paketa fason është arritje e 300 ditëve. Vetëm në 260 biznese të përpunimin aktiv ka 3500 vende pune të reja dhe vetëm volumi i kontratave është rritur 30 për qind. Jemi duke parë me të njëjtën filozofi projektin e dytë, atë të zonave industrial”, u shpreh ministri.
 
Sipas Ahmetajt, Shqipëria është ende një vend me pamundësi financiare. “Sa i takon sektorit të ekonomisë, qeveria po ndërmerr një model ekonomik ku nuk bazohet tek retorika, por tek burimi i suksesit. Ne po fokusohemi në mënyrë pragmatike duke dhënë zgjidhje korrekte e konkrete”-shtoi më tej ai.
 
Konferenca është organizuar në pesë module që përkojnë me pesë sektorë të rëndësishëm si: energjia, integrimi rajonal, zonat industriale, banka e zhvillimit dhe turizmi. Ajo u përshëndet nga profesor Ricardo Hausmann, drejtor i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar në Kennedy School of Government në Harvard University.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)