TIRANE- “CEZ” nuk është kusht që Çekia të votojë kundër marrjes së statusit të vendit kandidat në BE nga Shqipëria. Deklarata është bërë nga Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, Tomas Prouza në një prononcim për “Top-chanel”. Sipas tij, Republika Çeke do të shoh me kujdes progresin e bërë nga Shqipëria dhe nuk do të vendos për statusin nisur vetëm nga një çështje tregëtare.

Prouza i ka quajtur spekulime të gjitha shkrimet e publikuara në media, në të cilat përflitej se Çekia do të votonte kundër marrjes së statusit nga Shqipëria, si pasojë e konflikteve që ekzisojnë mes kompanisë “CEZ” dhe qeverisë shqiptare. “Nuk është aspak e vërtetë, është një spekulim  mediatik dhe mbeta i habitur kur pashë këto spekulime, sepse qeveria ende nuk e ka diskutuar çështjen e statusit kandidat të Shqipërisë, kjo do të diskutohet javën tjetër.

Nuk mund ta imagjinoi që qeveria do ta mbështesë vendimin e saj në një çështje të vetme tregtare, por ajo që do të bëjmë është të shohim hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në 6 muajt e fundit”, sqaroi sekretari Prouza. Sipas tij, situata konfliktuale që vijon mes qeverisë dhe kompanisë “CEZ” duhet të ishte zgjidhur muaj më pare, por gjithsesi sipas tij diskutimet po kryhen mes shtetit dhe një kompanie dhe jo mes dy shteteve. Sa i përket vendimit të statusit për Shqipërinë dhe progresit që ka arritur vendi këto muaj, Prouza është ndalur në vlerësimin që raporti i KE ka dhënë.

“Ajo çfarë Komisioni Europian ka komentuar shumë pozitivisht në raport lidhur me progres-raportin ishte e rëndësishme. Nga ajo që ne kemi parë dhe raporti që kemi lexuar nga KE, në Shqipëri është bërë shumë progres dhe ky është një lajm i mirë”, deklaroi Prouza. Dy ditët e fundit mediat çeke dhe agjensia e lajmeve “Reuters” aluduan se konflikti i qeverisë së shkuar me kompaninë çeke do të bëheshin shkak i bllokimit të vendit kandidat nga Çekia. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)