E para ka qenë kryediplomatja e BE, Romana Vlahutin, e cila ka zhvilluar një takim 45 minuta me ministrin Xhafaj. Ndërsa menjëherë pas largimit të saj, në Ministrinë e Brendshme ka mbërritur ambasadori Donald Lu, i cili ka zhvilluar një takim të gjatë mbi një orë e gjysmë, ku tema më e nxehtë e diskutimit ka qenë goditja e bandave kriminale.
‘Forca e Ligjit’ dhe Vettingu në Policinë e Shtetit janë dy temat e nxehta që janë diskutuar mes ambasadorëve Lu e Vlahutin dhe ministrit Xhafaj. Pjesë e aksionit ‘Forca e Ligjit’ janë ekspertët më të mirë në vend, por edhe ata të huaj. Është një ekspert i FBI, i cili jep ndihmën e tij në hetimin e grupeve kriminale.
Ky takim vjen vetëm dy ditë pas mbledhjes së Task-Forcës Qendrore Ndërinstitucionale në kuadër të planit të veprimit kundër krimit të organizuar, operacionit – ‘Forca e Ligjit’. Janë 38 dosje të organizatave kriminale, që kanë përfunduar në duart e policisë dhe që së shpejti pritet të kemi efektet e para të operacionit.
Dy ditë më parë, disa prej zyrtarëve më të lartë në vend, Kryeprokurorja Arta Marku, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, kreu i SHISH, Helidon Bendo, ishin në zyrën e ministrit Fatmir Xhafaj, ku në fokus ishin pikërisht 38 dosjet nën hetim të bandave kriminale dhe goditja e tyre.
Report Tv mësoi se ky operacion ka vën në lëvizje grupet e krimit, të cilët po tentojnë të përdorin mënyra të ndryshime për të fshehur pasuritë e tyre të vëna në rrugë të paligjshme, duke i regjistruar ato në emrat e personave të tretë apo duke i legalizuar. Ndërkohë, që 'Forca e Ligjit' pritet të japë efektet e para në muajin shkurt të këtij viti.
Nga ana tjetër, edhe Vettingu në Policinë e Shtetit është një proces që po merr rrugët ligjore, ku në ditët e ardhshme projektligji do të dorëzohet në Kuvend. 

( Ambasadori Donald Lu duke u larguar nga Ministria e Brendshme )

(Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, duke u larguar nga Ministria e Brendshme)
d.c./shqiptarja.com











