TIRANË - Ministria e financave ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në disa media se janë vetëm 25 pika bastes të mbyllura nga operacioni “Fundi i Marrëzisë”
 
Duke sqaruar edhe njoftimin e keqkuptuar të INSTAT, Ministria e Financave thekson se zyrtarisht janë 1000 biznese të mbyllura nga operacioni “Fundi i Marrëzisë”.
 
“Kur rreth 6 mijë policë rendi dhe tatimorë u përfshinë në aksion vitin e kaluar për të ulur informalitetin në biznesin e lojërave të fatit, u raportua zyrtarisht se ishin mbyllur 1000 biznese. Bizneset e mbyllura ishin 40 për qind më shumë se bizneset e regjistruara. Shifrat tregojnë se informaliteti në sektor vijon të jetë i lartë dhe se aksioni duket se nuk ja ka arritur qëllimit.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financeve

Reagimi i plotë i Ministrisë së Financave 
Në disa media të shkruara, janë artikuluar disa të dhëna të pa sakta lidhur me efektshmërinë e aksionit “Fundi i Marrëzisë”, veprimtarinë e Njësisë së mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, në Ministrinë e Financave, si dhe projektligjin “Për Lojërat e Fatit”.
 

Më konkretisht, është deklaruar se:
1. “Sipas të dhënave të INSTAT të azhurnuara në Regjistrin e Ndërmarrjeve 2014 mësohet se 25 biznese të fushës e kanë mbyllur aktivitetin vitin që shkoi. Në fund të vitit 2014 kanë rezultuar aktive 624 ndërmarrje nga 649 të tilla në vitin 2013.”

Sqarim: Shifrat e përdorura, (edhe pse janë nxjerrë jashtë kontekstit të raportimit nga INSTAT), nuk janë të vërteta dhe dizinformojnë publikun lidhur me situatën e vërtetë të numrit të shoqërive aktive që kanë ushtruar aktivitet në vitin 2013 në krahasim me vitin 2014 e në vazhdim. 

Ju informojmë se përgjatë vitit 2013 kanë ushtruar aktivitet të licencuar në fushën e lojërave të fatit 55 shoqëri dhe aktualisht ushtrojnë aktivitet 25 prej tyre. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, ndaj 30 shoqërive të licencuara për lojërat e fatit, të cilat ushtronin aktivitet në vitin 2013, ka marrë të gjitha masat shtrënguese deri në heqjen e licencës për ushtrimin e aktivitetit në kundërshtim me ligjin nr. 10033, datë 11.12.2008 “Për Lojërat e Fatit”, i ndryshuar, si dhe për shkak të detyrimeve të prapambetura.

2. “Kur rreth 6 mijë policë rendi dhe tatimorë u përfshinë në aksion vitin e kaluar për të ulur informalitetin në biznesin e lojërave të fatit, u raportua zyrtarisht se ishin mbyllur 1000 biznese. Bizneset e mbyllura ishin 40 për qind më shumë se bizneset e regjistruara. Shifrat tregojnë se informaliteti në sektor vijon të jetë i lartë dhe se aksioni duket se nuk ja ka arritur qëllimit.”

Sqarim: Raportimi nuk paraqet të dhëna të vërteta dhe për rrjedhojë nxjerr konkluzione të gabuara mbi informalitetin e këtij sektori. Ju informojmë se aksioni “Fundi i Marrëzisë” dhe në vijim puna e përditëshme e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit jo vetëm goditi informalitetin në fushën e lojërave të fatit, por ndikoi në formalizimin e tregut. Pasi aksioni “Fundi i Marrëzisë” goditi vetëm pjesën informale të tregut dhe pjesa formale e tregut u trajtua nga NjMLF, duke sjellë rezultate pozitive në këtë sektor. Këto fakte janë të thjeshta për t’u verifikuar, vetëm duke krahasuar të ardhurat në buxhetin e shtetit nga lojërat e fatit për vitin 2013 me vitin 2014, të cilat janë rritur me 42.96%. Por më shumë informacion, do të gjeni në tabelën më poshtë:

Tabela mbi të ardhurat e mbledhura nga Lojërat e Fatit në buxhetin e shtetit (në mld lekë)

Viti 2013             Viti 2014                Diferenca =/-    Diferenca ne %
3,656,841 ALL     5,227,810 ALL         1,570,969         ALL + 42.96%


Në këtë kuptim, rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit me 42.96% në vitin 2014, pra arkëtimi 16 milionë dollarëve më shumë në arkën e shtetit se në vitin 2013, tregon për efektet e vërteta pozitive të punës së institucioneve shtetërore mbikëqyrëse në këtë fushë në luftën kundër informalitetit. 

3. “Muajin e kaluar, Kuvendi ka miratuar ligjin e ri për Lojërat e Fatit, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi. Por, edhe pse rregullat dhe ligjet për rregullimin e sektorit kanë ndryshuar disa herë, sektori ka shfaqur informalitetin më të lartë se sektorët e tjerë të biznesit edhe sipas analizave të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithëshme të Tatimeve.”

Sqarim: Raportimet vazhdojnë të paraqesin fakte të pavërteta, qofshin këto edhe fare lehtësisht të verifikueshme, se projektligji “Për Lojërat e Fatit” nuk është miratuar ende në Parlament, por është në proces shqyrtimi në komisionet parlamentare dhe, për rrjedhojë, nuk mund të hyjë në fuqi pa u miratuar paraprakisht nga Kuvendi. 
Gjithashtu, pavërtetësia e të dhënave dhe konkluzioneve 

bie ndesh me faktin se rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit nga sektori i lojërave të fatit për vitin 2014 është më e lartë se çdo sektor tjetër i ekonomisë, duke bërë që për vitin 2014 të jetë taksa kombëtare me realizimin më të lartë në arkëtim. 

Ministria e Financave, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit janë të gatshme të japin çdo lloj informacioni që ndihmon me të vërteta dhe nuk dezinformon publikun e gjerë.