TIRANE- Vëllimi me tregime i shkrimtarit Ylljet Aliçka “Kur Hrushovi kaloi në fshatin tonë”, pas botimit në çekisht është promovuar dje në një nga sallat e bibliotekës “Vaclav Havel“ në Pragë. Ambasada Shqiptare në Pragë ka pohuar se ky promovim ishte një bashkëpunim i “Bibliotekës Vaclav Havel“ , botuesit Petr Štengl dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke.

I pranishëm në promovim Ambasadori, Riza Poda në fjalën e rastit pasi falënderoi Bibliotekën Vaclav Havel, botuesin Petr Štengl dhe përkthyesin Premysl Vinsh për promovimin e vlerave të kulturës shqiptare në Republikën Çeke u shpreh se: “Do ta konsideroja një ngjarje mjaft të bukur dhe festive promovimin në qytetin e bukur te Pragës, botimin në gjuhën çeke, të librit me tregime të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ylljet Aliçka, gjë që do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve shumë të mira, të miqësisë e partneritetit të konsoliduar që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke”.

Tregimet e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj janë vlerësuar për frymën e tyre bashkëkohore dhe stilin elegant. Ishte përkthyesja dhe albanologia Hana Tomková, që theksoi disa nga vlerat artistike të vëllimit të botuar si dhe për vlerat e letërsisë shqiptare në përgjithësi. Sipas Tomkovás, tregimet e shkurtra të Aliçkës sjellin në retrospektivë jetën dhe përditshmërinë shqiptare, komunizmin dhe kolapsin. “Autori tregon eksperiencën e tij në shtetin i cili në krahasim me shtetet tjera evropiane kaloi në regjime të ndryshme, në zhvillimet politike të rrepta dhe ideologji të llojllojshme.

Të lexosh letërsi në vitet e 80-ta në Shqipëri ishte e ndaluar, shumë autorë ishin të ndaluar nga shteti dhe u futën në listën e zezë të shtetit”, theksoi ajo për të pranishmit. Në promovim kishte mjaft artëdashës dhe pjesëtarë të komunitetit shqiptarë që jetojnë në Pragë.

Ky është libri i gjashtë i shkrimtarit Ylljet Aliçka, pas tri vëllimeve me tregime: “Parullat me gurë”, “Kompromisi”, “Koha e puthjeve”, dhe dy romaneve “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” dhe “Valsi i Lumturisë. Aliçkaj është botuar në disa vende të tjera, si: Poloni, Francë, Itali dhe Rusi.

Një pjesë e tregimeve të tij janë shndërruar në skenarë filmi nga vetë autori, me të cilët janë realizuar dy filma artistikë: “Parullat” dhe “Një histori provinciale”. Ka marrë disa çmime brenda dhe jashtë vendit: Penda e Argjendtë, “Kompromisi”, 2001; Romani më i mirë artistik “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”, Akademia Kult, 2006; Çmimi i parë, skenari “Parullat”, 2006. Është anëtar nderi i “Republikës së Artistëve të Montmartrit”, anëtar nderi i Akademisë “Berry-Georges Sand”, i shoqatës “La Rennissance française”,etj. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)