TIRANE- Korrupsioni duket se është ulur këmbëkryq tek infermierët dhe kjo i bën shpesh ata të harrojnë detyrën, ndërsa në të shumtën e rasteve janë familjarët e pacientëve ata që bëjnë një pjesë të punës së infermierit. Ky është konstatimi i pacienteve, të afërmeve të tyre, por dhe vetë urdhrit të infermierëve. Kryetari i urdhrit, Sabri Skenderaj, akuzoi ashpër infermierët për punë të dobët, neglizhence ndaj pacienteve, korrupsion dhe për faktin se bëhen palë me mjekun. “Në shërbimin shëndetësor nga mbikëqyrjet tona është arritur në konkluzionin se infermierët e mjekut të familjes janë kthyer në sekretare nuk merren fare me pacientin, me sëmundjen e tij , me kurmin e tij shëndetësor dhe me ndjekjen e tij në vazhdimësi.

Në disa ambulanca fshatrash nga mbikëqyrja jonë kemi vënë re edhe braktisje të punës." tha Sabri Skënderi, kryetar i Urdhrit të Infermierit. Nga ana tjetër infermierët që punojnë në këto institucione shëndetësore nuk pranojnë të flasin dhe as t`u përgjigjen akuzave të pacienteve dhe urdhrit të infermierit, ndërkohë vitin e fundit vetëm 2 infermierë janë ndëshkuar me largim nga puna. Veç kësaj, shërbimi i infermier ka probleme edhe me mungesën e kualifikimit. “Rreth 27% e infermiereve, ata që janë dhe më të vjetrit në ketë profesion, janë pa arsim të lartë ndërsa të rinjtë që dalin nga shkollat e larta nuk kanë kualifikimin dhe njohuritë e duhura.

“Ne kemi shumë probleme me nivelin profesional, me aftësitë dhe njohuritë profesionale, me shprehitë dhe shkathtësitë tona për të pritur dhe për të dhënë ndihmën e parë. Ne kemi akoma edhe 27% të punonjësve tanë me nivel të ulët formimi. Për të mos thënë kemi akoma me kurse 6 mujore, dhe me arsim 8-vjeçar që janë në prag pensioni” theksoi Skënderi. Ndërsa zv/ministrja e shëndetësisë Milva Ikonomi u shpreh se pavarësisht se raprotit infermier - pacient e keni në nivele të kënaqshme me vendet evropiane, kemi probleme me shpërndarjen e punës. Infermierët sipas saj bëjnë shumë punë gjatë ditës, dhe kjo sjell ulje të nivelit të shërbimit.

“Sot në botë mensat kryesore janë për ta ndarë detyrën e një infermieri apo e një mamie në detyra më të vogla në proces dhe ne në Shqipëri doja të shikoja sesi ne i ndajmë detyrat në procese, fatkeqësisht nuk e gjeta." tha Milva Ikonomi. Nga ana tjetër, krerë të Ministrisë së Shëndetësisë por dhe Urdhrit të Infermierit, kërkuan nga Ministria e Arsimit unifikimin e programeve në Fakultet e Infermierisë dhe zbatimin me detyrim të praktikave mësimore në spitale.


Shkrimi u publikua sot (01.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)