Demokratët shqiptarë janë “të vendosur për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera ndërmjet Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës”.

Pa shumë skrupuj, kështu i shkruante më 15 nëntor 2012 në një mesazh urimi kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha, që ka nisur nga selia e tij si Kryeministër në adresë të “Shkëlqesisë së Tij z. Xi Jinping, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës”.

Mesazhi nuk ndodhet as në uebin e PDSH-së as dhe në atë të Këshillit të Ministrave. Gazeta ka mundur të sigurojë fotokopjen e tekstit të papublikuar. Pavarësisht se Berisha thotë se kishte “kënaqësinë e veçantë” të përcillte “përshëndetjet më të përzemërta” në emrin e tij, të qeverisë shqiptare, të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, mesazhi është partiak: në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Kjo për me rastin e përzgjedhjes së Xi Jinping-ut “në pozicionin e lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës”. Berisha i ka konsideruar si historike punimet e Kongresit të 18-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës.

“Jemi të vendosur për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera ndërmjet Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës”, deklaron Berisha. Ky i fundit bashkohet me urimet që ka dërguar Pierre Ngolo, sekretar i përgjithshëm i Partisë Kongoleze të Punës.

Por ka një përkim kuptimplotë. Po më 15 nëntor, teksa në Kuvendin e Shqipërisë i kërkonte opozitës OK për 3 ligje për në BE, Berisha njëkohësisht është betuar për “për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve e popujve si edhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat” me shtetin e madh aziatik.

Shqipëria “aktualisht po përjeton trysni gjithmonë e më të madh nga ana e aleatëve të saj të tanishëm – SHBA dhe Bashkimi Evropian, si dhe po vret mendjen seriozisht për kthim te “miqtë e vjetër” e saj – Kina dhe Rusia... kushtet e rrepta të BE-së për kryerjen nga Shqipëria të reformave “demokratike”, kriza e eurozonës dhe paqëndrueshmëria e dollarit e detyrojnë të mendojë për kërkimin e partnerëve të rinj ekonomikë potencialë.

Në këtë kontekst Tiranës zyrtare i lindi ideja e vazhdimit të ripërtëritjes të bashkëpunimit të dikurshëm aktiv me Kinën dhe Rusinë”, raportonte në janar 2012 sekretari i tretë i ambasadës ruse në Tiranë, Vladislav Kurbacki.
 
DOKUMENTI / JA TEKSTI I ZBARDHUR I MESAZHIT TË URIMIT TË BERISHËS DREJTUAR KREUT TË PKK-SË

I nderuar Zoti Xi Jinping,
Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e përzgjedhjes suaj në pozicionin e lartë të Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, t’ju përcjell në emrin tim, të qeverisë shqiptare, të Partisë Demokratike të Shqipërisë si edhe në emër të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në detyrat e rëndësishme.

E kam ndjekur me vlerësimin më të lartë karrierën tuaj politike dhe mbetem me bindjen e thellë se nën udhëheqjen tuaj, me përvojën e pasur politike, vizionin dhe përkushtimin që ju karakterizon, Republika Popullore e Kinës do të vijojë me sukses të konsolidojë edhe më tej arritjet e jashtëzakonshme në rrugën e reformave madhore, në shërbim të së mirës e prosperitetit të popullit kinez, mik i madh i popullit shqiptar, zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm të saj dhe paqes e miqësisë në rajon e në botë.

Dëshiroj, me këtë rast, t’ju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim të palëkundur e atë të qeverisë shqiptare e Partisë Demokratike të Shqipërisë për t’i konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve e popujve si edhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Sikundër, jemi të vendosur për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta e të shkëlqyera ndërmjet Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Komuniste të Kinës si edhe bashkëpunimin e frytshëm, në dobi të interesave më të mirë të të dy popujve.

Duke ju shprehur edhe një herë vlerësimin dhe urimet më të mira për përmbylljen me sukses të punimeve historike të Kongresit të 18-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës, shfrytëzoj rastin t’ju shpreh sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë.

JUAJI
SALI BERISHA