TIRANE- Komisioni i ligjeve miratoi dje vendimin për lirimin nga detyra të Zana Xhukës nga posti i kryetares së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ashtu siç pritej, opozita e kundërshtoi këtë vendim të mazhorancës duke e cilësuar si një shkelje e hapur e ligjit. Nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi nuk i kurseu akuzat e tij ndaj mazhorancës duke theksuar herë pas here se po synohet që të kapen institucionet e pavarurua. “Ditën e premte synimi juaj ishte kapja dhe kontrolli i AMA-s. Ndërsa sot është fundi i një sage për kapjen e ILDKP-së. Ky institucion ka si synim kontrollin e pasurisë së qeveritarëve.

Sot po përpiqeni për herë të dytë të kërkoni shkarkimin e kreut të organit të ILDKP-së që do të hetojë pasurinë e qeveritarëve. Mbledhja e sotme është thirrur me urgjencë ku tregohet edhe me shkresën ku kërkohet që kreu i ILDKP-së të jetë këtu. Qëllimi i juaj është që të shkarkoni kreun e një institucioni të zgjedhur nga Kuvendi. Sigurisht ju nuk do të ndaleni se keni vendosur që me forcën e kartonave kërkoni që të kapni kontrollin e të gjithë institucioneve kushtetuese ose atyre të zgjedhur me ligj”,- tha Bylykbashi. Menjëherë pasi përfundoi fjalën e tij, Bylykbashi si përfaqësues i vetëm i PD-së, u largua nga Komisioni i Ligjeve duke bojkotuar.

Vetëm Nard Ndoka qendroi në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Më pas anëtarët e “Ligjeve” vendosën për lirimin nga detyra të Zana Xhukës me tri argumete. I pari ishte performanca e dobët që kishte bërë ky institucion që kur në krye të saj ishte emëruar Zana Xhuka. I dyti ishte argumenti i ankesave që kishin ardhur nga ky institucion për kreun e ILDKP-së dhe i treti, ishte arsimi i saj ku sipas mazhorancës nuk plotësonte kriterin e nevojshëm dhe për rrjedhojë, vendosja e saj në krye të ILDKP-së është tërësisht i jashtligjshme.

Krahas kësaj, deputet të mazhorancës akuzuan Xhukën për injorimin që i ka bërë institucionit të Kuvendit duke theksuar se ajo nuk njeh institucionin më të lartë në Republikën e Shqipërisë. Vendimi për shkarkimin e Zana Xhukës u miratua me 13 vota pro dhe 1 kundër dhe dy deputetë të mazhorancës nuk morën pjesë pasi binin në konflikt interesi pasi ishin hartuesit e raportit. Lirimi përfundimtar nga puna i Zana Xhukës pritet që të bëhet ditën e enjte në seancën plenare.

Partitë Politike
Krahas miratimit të kërkesës për lirimin nga detyra të Zana Xhukës, anëtarët e Komisionit të Ligjeve miratuan edhe draftin për partitë politike. Ndonëse ky ligj u miratua pa debat pasi opozita kishte bojkotuar, debati u zhvillua ndërmjet aleatëve të majtë. Marrk Frroku, kryetari i Partisë Kristian Demokrate u shpreh kundër këtij ligji. Drafti ishte shqyruar edhe më parë në Komisionin e Ligjeve, por kishte mbetur pa u votuar ku në të tria votimet, në parim, nen për nen dhe në tërësi, deputeti i PKD u shpreh kundër vendimit të qeverisë.

Opozita akuzon mazhorancën për shkelje të rregullores
BYLYKBASHI: Zoti kryetar më duhet të tërheq vëmendjen për ju që në mënyrë të vazhdueshme po vijoni në këtë komision duke shkelur rregulloren e komisionit. Ditën e premte synimi juaj ishte kapja dhe kontrolli i AMA-s. Ndërsa sot është fundi i një sage për kapjen e ILDKP-së.
XHAFAJ: Ju po flisni për shkelje rregullore dhe po e shkel vet atë. Ky është skandal.
BYLYKBASHI: Unë e kërkova fjalën në të drejtën time. Është e qartë qëllimi i kësaj mazhoranca pa i bërë syri dritë për kushtetutën e ligjin, do të përdori kartonat për të shkarkuar të gjithë instititucionet për ti vënë ato nën kontrollin politik. Sigurisht ne nuk bëhemi farsë për këtë.

XHAFAJ: Për respekt të medias dhe publikut po ju bëj me dije se nuk ka as një shkelje të rregullores.
FINO: Zyrtarisht është njoftuar që kjo kryetarja e deklarimit të vijë këtu ti përgjigjet pyetjeve të deputetëve të këtij komisioni. Në mënyrë se ajo nuk përfill këtë komision, Kuvendin, i bie që ajo është e shkarkuar automatikisht.
Braho: Motivacioni është shpallja si të pavlefshëm të vendimit 1 të vitit 2013. Kjo që kur është emëruar është miratuar në kundërshtim të ligjit, por ato vendime të saj janë të ligjshme apo të paligjshme.

SUBASHI: Kamë frikë se nuk ka nxjerrë ndonjë akt se nga kontrolli që bëm ne ajo nuk kishte nxjerrë as një akt. Kështu që pyetja ka vlerë nga pikëpamja e teorisë të së drejtës por në rastin praktik mendoj se nuk ka asnjë rëndësi pasi gjatë të gjithë veprimtarisë së saj nuk ka nxjerrë ndonjë akt, vetëm ka fjetur gjumë.
LUTAJ: Kanë ngritur përfaqësues të ish-mazhoracës sot opozitë të komisionit të veshit të leshit. Drejtuesja e një insitucioni të lartë thotë se nuk ndien as një detyrim ndaj parlamentit. Ajo nuk e njeh më insitucionin e parlamentit.

FRROKU: Unë do të doja dy sqarime të vogla për ligjin për Partitë Politike. Këto fonde do të dalin nga fondet ekzistuese apo do të ketë shtesa për partitë që marrin mbi 10 mijë vota?
XHAFAJ: Besoj se është e qartë për propozuesit, nuk do të ketë shtesë. Mbi fondin ekzistues do të bëhet vetëm kriteri mbi të cilin do të bëhet ndarja e fondeve.
FRROKU: Unë i falenderoj partitë e mëdhaja për zemrën e madhe që kanë që paratë e tyre na i dërgojnë neve partive të vogla.
 
Shkrimi u publikua sot (19.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)