TIRANE- Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar dje draftin që parashikon përfshirjen në procesin e legalizimeve ndërtimet e kryera në tokë shtet dhe pronë private pas vitit 2009. I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte Drejtori i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale Artan Lame. Projektligji ishte shqyrtuar më parë në parim në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e njeriut dhe deputetët e miratuan atë në tërësi duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare.

Ndryshimet
Projektligji synon realizimin e ndryshimeve në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, për të arritur një rregullim më të mirë ligjor të procesit të legalizimit, duke marrë në konsideratë të drejtat dhe interesat e kategorive të caktuara të subjekteve, të cilat aktualisht gjenden në kushte të disfavorshme, në raport me përcaktimet e ligjit të sipërcituar.

Gjithashtu, një tjetër pikësynim i projektligjit lidhet me përmirësimin e aspekteve administrative të procesit, duke riformuluar disa dispozita/norma, gjatë aplikimit të të cilave, nga praktika e punës së ALUIZNI-t, janë evidentuar paqartësi dhe qëndrime divergjente në interpretim.

Ndërtimet pas 2009
Objektivi kryesor i nismës për hartimin e këtij projektligji konsiston në zgjerimin e fushës së zbatimit të ligjit “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, duke përfshirë në proces edhe ndërtimet e ngritura në truall në pronësi shtetërore apo të të tretëve, pas datës 15.1.2009, e cila deri më tani shërben si kufi kohor për mundësinë e legalizimit të kësaj kategorie objektesh.

Ky kufi do të spostohet në datën 27 qershor 2014 në të cilën ka hyrë në fuqi ligji nr.50/2014, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”. Objektiv tjetër është ai i rritjes së qartësisë së ligjit, çka do të rezultojë në rritje të frytshmërisë në veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara me zbatimin e tij.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)