TIRANE- Ligji i ri për Turizmin synon të sjellë një tjetër standard të urbanizimit në zonën bregdetare. E ftuar në emisionin “Tete a tete” në studion e “A1 Report”, ministrja e Turizmit Eglantina Gjermeni, thotë se ligji i ri parashikon vendosjen dhe arritjen e standardeve në sektorin e turizmit, si dhe krijimin e mundësive për rritjen e numrit të turistëve. Ministrja Gjermeni thekson se me një zhvillim të kontrolluar urban, mund të realizohet edhe një zhvillim i drejtë i turizmit.
 
“Pa një zhvillim të kontrolluar urban nuk mund të ketë zhvillim të turizmit. Deri më tani ndërtimet kanë qenë në kaos, dhe urbanizimi është kaotik, spontan, treg informal që nuk ka standardet e duhura. Ne duam që turistët e huaj të vijnë në vendin tonë, edhe për faktin se sjell më shumë mundësi investimi, punësimi, të ardhura. Po rishikojmë ligjin aktual të turizmit, këtij ligji i mungojnë disa komponente kryesore, standardet, certifikimi, klasifikimi. Deri tani ka munguar vullneti politik për të rishikuar ligjin, edhe pse janë bërë përpjekje, por nuk është bërë gjë. Jemi në një dinamikë të tregut që kërkon standarde dhe formalizim. Ky ligj që ne e kemi kaluar në Këshillin e Ministrave, dhe brenda Korrikut besojmë se do të kalojë edhe në Parlament”, tha Gjermeni.
 
Duke qenë se sezoni turistik veror tashmë ka filluar, ministrja Gjermeni thotë se po vijojnë inspektimet në zonën bregdetare për të garantuar pastërti dhe siguri. Por ministrja Gjermeni tha se nevojitet bashkëpunim i autoriteteve vendore, por edhe i qytetarëve për të mbajtur të pastër bregdetin, pasi pasojat i vuajnë vetë këta të fundit në shëndetin e tyre.
 
Ministrja Gjermeni tha më tej se pjesëmarrja në panairet e ndryshme ndërkombëtare synon në promovimin e Shqipërisë dhe të potenciale të saj turistike, duke krijuar tek të huaj një imazh të ri.
 
Cila është strategjia për të vendosur standarde në turizëm?
Pa një zhvillim të kontrolluar urban nuk mund të ketë zhvillim të turizmit. Deri më tani ndërtimet kanë qenë në kaos, dhe urbanizimi është kaotik, spontan, treg informal që nuk ka standardet e duhura. Ne duam që turistët e huaj të vijnë në vendin tonë, edhe për faktin se sjell më shumë mundësi investimi, punësimi, të ardhura. Po rishikojmë ligjin aktual të turizmit, këtij ligji i mungojnë disa komponente kryesore, standardet, certifikimi, klasifikimi.

Deri tani ka munguar vullneti politik për të rishikuar ligjin, edhe pse janë bërë përpjekje, por nuk është bërë gjë. Jemi në një dinamikë të tregut që kërkon standarde dhe formalizim. Ky ligj që ne e kemi kaluar në Këshillin e Ministrave, dhe brenda Korrikut besojmë se do të kalojë edhe në Parlament. Synon kthimin e konkurrencës së ndershme, dhe kthimin e Shqipërisë në një destinacion turistik siç e duam ne. Kemi vijuar konsultimet me grupet e interesit, me aktorët e përfshirë, për ndryshimet e ligjin. Kemi marrë konsultë edhe nga Organizata Botërore e Turizmit. Por sfida më e madhe është zbatimi i ligjit. Për këtë po mundohemi që akte, rregullore dhe mënyra të tjera si do zbatohet ky ligj të jenë gati që të jetë efektiv.
 
Si po vijojnë inspektimet në bregdet?
Paralelisht me ligjin po punohet edhe për masat e sezonit turistik. Kemi bërë inspektime në gjithë zonën bregdetare. Këto inspektime do të vijojmë gjatë gjithë verës. Të gjithë ne kemi qëllim të përbashkët që ky sezon të ketë më shumë siguri, garanci, cilësi. Ne nuk pretendojmë të zgjidhin gjithçka që është akumuluar në gjithë këto vite. Por do bëjmë gjithçka është e munduar. Një falënderim special është për të gjithë Forcat e Armatosura që janë në terren për të ndihmuar në pastrimin e zonave bregdetare. Me vendimin e Këshillit të Ministrave përveç ndarjes, plazhe publike private, 80% private 20% publike, merret në konsideratë edhe garantimi i kushteve të nevojshme. Ne e kërkojmë bashkëpunimin me kryetarët e njësive vendore, por edhe të qytetareve për të shmangur ndotjet në det.
 
Ministria e Jashtme ka vënë në dispozicion ambasadat për të promovuar turizmin e Shqipëri. A mund të kontribuojë edhe biznesi vendas në këtë drejtim?

Kemi pasur përqasje gjithëpërfshirëse për gjithë konkurset që kemi zhvilluar për turizmin. Kemi patur çmime edhe për studiot ndërkombëtare, por edhe ato lokale. Edhe konkursi për “branding of Albania” ishte i hapur. Pranë Agjencisë së Planifikimit të territorit kemi krijuar një “Atelie Albania” për ekspertizën më të mirë për planifikimin e territorit. Është për këtë kemi bashkëpunuar me ekspertë të huaj dhe vendas. Ne i zhvillojmë gjerat me kapacitetet lokale, por duke marrë shembull edhe eksperiencën ndërkombëtare.
 
Ju keni vazhdimësi jashtë vendit me ekspozita për promovimin e turizmit. Sa marrëveshje keni të arritura për rritjen e numrit të turistëve?
Meqenëse numri i turistëve është një shqetësim, kemi filluar punë për të adresuar problematikën në këtë pikë. Përmes një përqasje të integruar statistikore në bashkëpunim me BSH, INSTAT, policin e kufirit, të matim numrin e hyrje-daljeve, dhe kohën e qëndrimit, për të parë sa të ardhura i vijnë vendit tonë nga turizmi. Jemi në proces të punës për t’i koordinuar të dhënat statistikore në të gjithë institucionet. Në panairet jashtë vendit ne promovojmë potencialet turistike të Shqipërisë. Kam qenë e pranishme në këto panaire, pasi është një qeveri e re, një përqasje e re me turizmin, në konferenca shtypi jam përpjekur të prezantoj potencialet e Shqipërisë. Kemi shumë nevojë për të dhënë një imazh të ri, imazh real të vendit tonë.
 
Është një sfidë e jashtëzakonshme të kemi turistë të huaj, dhe të kenë dëshirën për t’u kthyer sërish. Si t’ia arrijmë kësaj?
Nuk i zgjidh të gjitha problemet ligji, por zbatimi i tij. Sektori privat ka shprehur gatishmëri që ky ligj të zbatohet, pasi është edhe në interes të tyre. Ne jemi pjesë e Organizatës Botërore të Turizmit, dhe do të mbështetemi në ekspertizën e tyre dhe në konsultimet në vendosjes e standardeve. Po punojmë gjithashtu me mbështetjen e tyre, edhe për strategjinë e turizmit. Kemi marrëveshje për turizmin edhe me Kosovën, ata janë një hap përpara nesh në këtë drejtim, pasi e kanë rishikuar më parë këtë ligj. Kemi marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi, dhe kërkojmë më shumë përvojë nga ata sa i takon tërheqjes së investitorëve të huaj, apo edhe në arritjen e standardeve.
 
Kur do ketë një rezultat të dukshëm nga zbatimi i strategjisë së turizmit?
Ky është një proces që kërkon zbatim të ligjit, dhe bashkëpunim nga të gjithë aktorët. Sfida e parë do jetë pastrimi i territorit, dhe po kështu mbajtja pastër e tyre. Është e vështirë të them që këtë vit ne do jemi aty ku do dëshironim. Këtë vit standardi i pastërtisë dhe i sigurisë besoj se do realizohet, dhe vitin tjetër do të rritet siguria më tepër. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)