Mediat britanike, mes të cilave “Times”, “Guardian” dhe “Daily Telegraph”, i kanë kërkuar unanimisht qeverisë së David Cameron një përgjigje më të fortë ndaj Rusisë lidhur me çështjen Litvinenko. Kërkesa ka ardhur pas publikimit të raportit përfundimtar mbi vrasjen e ish-agjentit sekret rus, që “mbase është urdhëruar” nga presidenti Vladimir Putin. Edhe pse jo të gjitha gazetat ia kanë kushtuar faqen e parë këtij lajmi, në editoriale propozohen një seri masash ndaj Kremlinit, si sanksione të reja individuale dhe dëbimin e të gjithë diplomatëve rusë të identifikuar si agjentë të shërbimeve sekrete.