TIRANE- Nëpunësit e larguar nga administrata, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk do të kthehen më në vendet ku kanë qënë. Për më tepër, mazhoranca do të bëjë të gjitha përpjekjet që ligji i ri për Nëpunësin Civil të hyjë në fuqi më 1 prill, siç e parashikonte dhe Akti Normativ. Një qëndrim të tillë e ka pohuar ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, pas takimit të zhvilluar me krerët e grupeve parlamentare dje, vetëm një ditë pas zbardhjes së vendimit të Kushtetueses që e rrëzonte Aktin Normativ të qeverisë. Takim ku kanë marrë pjesë Ruçi, Vasili dhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi.

“Kishim Idrizin nga opozita. S’kishte ardhur Paloka as Mediu. Vendimi i Gjykatës qartësisht shfuqizon aktin normativ por në momentin kur vendimi i Gjykatës hyn në fuqi ditën kur botohet në fletoren zyrtare. Nuk ka asnjë problem të veçantë. Propozimi ynë që u hodh në takim ishte të bëjmë disa amendime në ligj për të qenë në koherencë me shtyrjen e efekteve të këtij ligji. Kishim arsye të qenësishme për këtë gjë. Gjykata Kushtetuese s’ka marrë vendim për shtyrjen e efekteve. Mendojmë se është e domosdoshme shtyrja efekteve të ligjit në prill e do e bëjmë”, tha Harito. Me sa duket botimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzon aktin normativ për “Nëpunësin Civil” mund të botohet në prill në fletoren zyrtare.

Precedenti ka ndodhur me rezolutën e vitit 2004 për çështjen çame që hyri në fuqi para 23 qershorit 2014, me botimin në Fletoren Zyrtare. Harito tha se aktet nënligjore janë përfunduar të gjitha dhe tre prej tyre do kalojnë shumë shpejt në Këshillin e Ministrave. E pyetur për pretendimin e PD për të kthyer në punë të shkarkuarit Harito tha se “nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë. PD mirë është që të argumentojë ato që thotë”. Vetëm kreu i grupit të PDIU Shpëtim Idrizi, aleat i Berishës, ishte ishte i pranishëm nga opozita. Ndërkohë ministrja e Shtetit Harito deklaron se do të kërkojë një takim tjetër, por të shkarkuarit s’do kthehen.

Takimi u kërkua nga Ilirjan Celibashi, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvend e Milena Harito, ministre Shteti për Inovacionin e Administratën Publike. Mbledhja u zhvillua në kryesinë e Kuvendit. Kanë qenë të pranishëm krerët e grupeve parlamentare, ai i PS-së Gramoz Ruçi, dhe ai LSI-së Petrit Vasili, ndërkohë që nuk është paraqitur kreu i grupit të PD-së Edi Paloka dhe as Fatmir Mediu i grupit PR. Nga opozita ka qenë i pranishëm vetëm kreu i grupit të PDIU Shpëtim Idrizi. Po dje pasdite Harito informoi se do të shkruajë një tjetër letër krerëve të grupeve parlamentare për t'i kërkuar takim tjetër. Ajo që mbetet në pikëpyetje është fati i nëpunësve të shkarkuar apo edhe emëruar pas datës 1 tetor të 2013 lëvizje që janë bërë duke u bazuar tek ligji i vjetër.


Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)