“Ndërkombëtarët” e Ylljet Aliçkaj,
pritet me bujë në gjuhën norvegjeze

“Ndërkombëtarët” e Ylljet Aliçkaj,<br />pritet me bujë në gjuhën norvegjeze
Libri i Ylljet Aliçkaj “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” që ka tronditur me kritikat e tij misionet e huaja që erdhën në Shqipëri për të ndihmuar zhvillimin e vendit, pas rënies së diktaturës, është vlerësuar dhe pëlqyer nga botuesit norvegjezë.

Libri bën fjalë për abuzimet jo të pakta të ndërkombëtarëve që vijnë me misionin për të ndihmuar Shqipërinë, por që në të vërtetë tentojnë të kenë përfitime e rroga të larta.

Për këtë, shpesh ata përcjellin në vendet e tyre një imazh se Shqipëria është një vend me shkallë të lartë vështirësie për jetën e tyre dhe me nivel të ulët zhvillimi.

Botuesja e këtij libri në shqip, Irena Toçi, presidente e Toenas njofton se “Një nga shtëpitë botuese më të mëdha në Norvegji “Bokvennen Ferlag” sapo botoi në gjuhën norvegjeze romanin e mirënjohur të shkrimtarit Ylljet Aliçka “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, përkthyer nga origjinali nga Jon Kvaerne (jon kvarne).

Ky roman qarkullon në norvegjisht me titullin “Dosja12 Tirana - Rrëfenjë me ndërkombëtarë".

"...Sado të qeshni e të argëtoheni me karrierën diplomatike të nëpunësve ndërkombëtarë, është e pashmangshme të qëndroni indiferentë ndaj së vërtetës së hidhur, zhveshur nga lëvorja e krejt përmbajtjes letrare të këtij romani.." Këto janë fjalët më të cilat botuesit norvegjezë po e përcjellin romanin e Ylljet Aliçkës në gjuhën e tyre.

Parathënia e “Dosja 12-Tirana” ne norvegjisht

Libri i Ylljet Aliçkaj është përcjellë për publikun norvegjez me këto fjalë:

Këto ditë, është botuar në Norvegji romani "Rrëfenjë me ndërkombëtarë" (ose Ndërkombëtarët) i shkrimtarit Ylljet Aliçka nga një prej shtëpive botuese më prestigjoze norvegjeze, Bokvennen, me titull “Dosja12 Tirana - Rrëfenjë me ndërkombëtarë" përkthyer nga origjinali nga Jon Kværne.

Romani përshkruan jetën e një prej zyrave diplomatike ndërkombëtare, vendosur në Shqipëri pas viteve'90, për të futur vendin në rrugën e mbarë të përparimit, pas brezash të humbur nën regjime diktatoriale.

Po si mund të ndihmohet një vend ku kamerierët e trupit diplomatik janë të pashpirt, dhe ku për larjen e rrobave shpenzohen shumë detergjentë, apo në një humbëtirë ku vendasit nuk respektojnë qentë, ndërsa kuajt janë të pastërvitur, fundja si të zotët?!

Bëhet fjalë për një ironi që kalon jo rrallë në një sarkazëm të hidhur, me të cilën autori “qëndis” kontrastin mes idealeve fisnike të ndërkombëtarëve dhe përditshmërisë së jetës së tyre rutinë, zhytur në zyrat gri.

Arrivizmi për të ngjitur shkallët e karrierës është prioriteti absolut i stafit ndërkombëtar apo i dikujt që ia del të zërë butësisht dhe si pa u vënë re një vend pranë ambasadorit në veturën e tij diplomatike.

Hasim aty diplomatin që i merr vendimet e rëndësishme diplomatike, nën efektin dehës të ndjenjave të pastra të dashurisë… Teksa një tjetër diplomat preferon më mirë të këpusë në fshehtësi të plotë frutat e pjekura të oborrit të përfaqësisë, sesa të bjerë viktimë “e çmimeve të çmendura të vendasve”.

Kurse për disa të tjerë, oraret e mërzitshme të ditës nëpër zyra mjaftojnë për hartimin e qarkoreve me kërkesa të rrepta për temperaturën e letrave mbi fotokopjuese….!!

Duket se Ylljet Aliçka ka pasur një përvojë të gjatë me të huajt dhe, sado që do të qeshni e do të argëtoheni me karrierën diplomatike të nëpunësve ndërkombëtarë, është e pashmangshme të rrish indiferent ndaj së vërtetës së hidhur, zhveshur nga lëvorja e krejt përmbajtjes letrare të këtij romani.

Redaksia Online
Dh.H/ shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?

Eduard Zaloshnja: Votat e emigrantëve, shpresa e fundit e opozitës?