TIRANE-Marrëveshja koncensionare e nënshkruar dje, ku parashikohet ndërtimi i të parit parkim nëntokësor, me një sipërfaqe prej afro 9 mijë metra katrorë ku do të mund të parkohen rreth 1000 automjete dhe do të përfundojë një vit pas nisjes së punimeve, nuk ka kaluar pa debate. Këshilltarët e majtë por edhe juristë thonë se ky është një vendim antiligjor. Kjo, pasi në këtë projektvendim nuk është parashikuar trualli ku do të ngrihet ky parking, ndaj edhe për këtë arsye u kthye mbrapsht nga prefekti Keltis Kruja, për tejkalim të kompetencave pasi ky projektvendim është miratuar vetëm me 29 votat e demokratëve, kur në të vërtetë për miratimin e tij duheshin 4/5 e votave të këshilltarëve, ose 33 vota. Juristi i njohur, Eridian Salianji, e quan këtë veprim të kryebashkiakut Basha, jo vetëm antiligjor, por edhe një bllof nga ana e tij. “Në mbledhjen e këshillit bashkiak të datës 28 dhjetor 2011, ku edhe kaloi ky projektvendim, kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, hoqi nenin 1 të këtij projektvendimi që përcaktonte truallin që do të jepej me qira. Me heqjen e këtij neni u hoq trualli që do të jepej në përdorim. Që do të thotë që nëse nuk ka një truall që do të jepet në përdorim, atëherë ku do të ndërtohet ky parking? Në ajër! Ishte kjo arsyeja që ne nuk e votuam dhe po ashtu edhe prefekti e ktheu mbrapsht dhe kur një vendim e kthen prefekti ky vendim nuk ekziston më. Me të vërtetë Basha ka nënshkruar një marrëveshje dje, por ai nuk i ka dhënë asgjë firmës koncensionare, vetëm sa po e fut atë në qorrsokak. S’mund të lidhësh një marrëveshje koncensionare pa truall, ai vendim i Bashës është bosh. Ndaj ky është vetëm një bllof”, - deklaron juristi, njëkohësisht edhe këshilltarë i majtë në këshillin bashkiak, Eridian Salianji. Në të njëjtën linjë është edhe këshilltari tjetër i majtë, Florian Pullazi, i cili shpjegon se nëse një vendim kthehet mbrapsht nga prefekti, ai duhet të kalojë sërish në këshill bashkiak, gjë e cila nuk ka ndodhur për parkimin nëntokësor te sheshi “Italia”. “Ne nuk jemi kundër ndërtimit të veprave publike, por ne duam që këto vepra publike të jenë transparente, që ishte edhe një ndër premtimet elektorale të Lulzim Bashës, si dhe të respektojnë procedurën ligjore. Por kjo gjë nuk ndodh me parkimin nëntokësor. Ky projektvendim është kthyer mbrapsht nga prefekti, dhe si i tillë ai duhet të na paraqitet sërish në këshill bashkiak dhe të marrë 33 vota, pasi bëhet fjalë për dhënien me koncesion të një vepre publike. Duke e firmosur marrëveshjen, në kohën kur këtij vendimi nuk i janë bërë përmirësimet e kërkuara nga prefekti, Basha ka shkelur ligjin. Të gjitha argumentet që përdor Basha janë lojra fjalësh”, - ka shpjeguar këshilltari tjetër i majtë Florian Pullazi.
Kontrata
Gjatë nënshkrimit të kontratës, kryebashkiaku Basha, me përgjigjen që ka dhënë për ngërçin ligjor më tepër e ka koklavitur këtë çështje. Megjithëse këtë vendim ai ia ka paraqitur këshillit bashkiak të datës 28 dhjetor 2011, ai ka thënë se konsiderohen të miratuara tarifat nga këshilli bashkiak i administratës së Ramës, ndërsa lidhja e kontratës ligji ia njeh kreut të bashkisë dhe koncensionarit. “Është e vërtetë që paraqitja e plotë e dokumentit në Këshill Bashkiak ishte në tejkalim të kompetencave të Këshillit Bashkiak. Këshilli Bashkiak tashmë e ka dhënë aprovimin e tij, në një fazë paraprake, ka qenë Këshilli i kaluar bashkiak, i cili me propozim të administratës së kaluar ka miratuar tarifat, ndërsa pjesa tjetër e vendimmarrjes deri në nënshkrimin e kësaj kontrate, sipas mendimit të prefektit dhe sipas mendimit të ATRAKO-s, që është (Agjencia Kombëtare e Koncesioneve) kryhet midis administratës, Kryetarit të Bashkisë dhe palës koncensionare dhe kjo është mënyra se si është proceduar ligjërisht”, - ka qenë kjo deklarata e Bashës, i cili nëse është kështu, duhet t’u japë llogari këshilltarëve të tij se përse u ka dërguar një projektvendim, kur në të vërtetë ka marrë të mirëqenë, atë të miratuar nga administrata e Ramës në 2009-ën.
(sg/shqiptarja.com)