TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme ka akuzuar Partinë Demokratike se me deklaratat e tyre po inkurajojnë krimin dhe kriminalitetin në vend dhe synojnë të hedhin baltë mbi ministrinë.
 
“Po sulmohet Policia e Shtetit pse po ju pret shtigjet rrjeteve të trafikut të fuqizuara ndër vite. Po tentohet të hidhet baltë mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme, pse është e vendosur të zhdukë në mënyrë përfundimtare konceptin e të paprekshmëve nga ligji në këtë vend”, thuhet së deklaratën shpërndarë mediave.
 
Në deklaratën thuhet se Ministra e Brendshme priste që opozita të përshëndese “luftën dhe rezultatet e Policisë së Shtetit kundër trafikut të drogës, në kuadër të së cilës një ditë më parë u kapën rreth 1 ton drogë”, referuar drogës që u sekuestrua mbrëmjen e djeshme në Gjirokastër.
 
“Priste që opozita të bëhej pjesë e kësaj lufte të madhe që synon t’a nxjerrë përfundimisht vendin tonë nga harta e zezë e trafiqeve të paligjshme”, thuhet në deklaratë.
 
Edhe kësaj radhe, shkruhet në deklaratë, opozita zgjodhi të rreshtohej në krahun e gabuar, duke zgjedhur të dalë në krah të shkelësve të ligjit.
 
“Me deklaratat e sotme të përfaqësuesve të saj opozita zgjodhi t’u dilte në krah shkelësve të ligjit, atyre që tashmë janë vënë në pranga nga policia dhe që do të do të shkojnë përpara drejtësisë falë aftësive profesionale të Policisë dhe vendosmërisë për të mos bërë asnjë kompromis në kurriz të ligjit dhe shtetit ligjor”, theksohet në deklaratë.

Redaksia online
(e.sh/shqiptarja.com)