DEKLARATA “BOMBË”
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në fjalën e tij në takimin ndërmjet drejtuesve të Prokurorive të Rretheve Gjyqësore dhe Drejtorëve të Policisë së Qarqeve, ka deklaruar se: “Janë në zhvillim disa hetime, të cilat nëse do të rezultojnë sipas parashikimeve, do të dëshmojnë për forcën reale goditëse të strukturave ligjzbatuese në Shqipëri”. Sipas Llallës, takime të tilla janë shumë të nevojshme, për të diskutuar mbi luftën e përbashkët kundër kriminalitetit. “Prokuroria dhe Policia e Shtetit janë në linjën e parë të përballjes me persona që priren nga veprimet antiligjore. Prokurorët në të gjithë Shqipërinë po dëshmojnë se vetëm falë bashkëpunimit me policinë e shtetit dhe orientimit në veprimtarinë tuaj, mund të kemi sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Luftë e cila mbetet një ndër prioritet kryesore për integrimin evropian të vendit”, theksoi Prokurori i Përgjithshëm.
BASHKËPUNIM I SUKSESSHËM
Sipas Llallës: “Falë këtij bashkëpunimi ka rritje të efektivitetit dhe shpejtësisë së hetimeve, rritje të cilësisë së referimeve si dhe dhe mënyrave të kërkimit dhe marrjes së provave”. Kryeprokurori Llalla deklaroi se, bashkë me policinë është: “Arritur të realizojmë operacione të shumta, ndër të cilat ka pasur edhe goditje të rëndësishme të grupeve dhe strukturave kriminale”. Sipas tij, gjatë punës ka edhe problematikë: “Të cilën bashkërisht punojmë dita-ditës ta zbusim, ta eleminojmë. Dhe diçka e tillë arrihet vetëm nëpërmjet zbatimit rigoroz të kërkesave ligjore”. Gjatë fjalës së tij në takim, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka deklaruar se: “Prokuroria dhe Policia e Shtetit i kanë të gjitha mundësitë që të jenë më bindës në seancat gjyqësore, duke siguruar fakte dhe prova të plota gjatë fazës së hetimit”.
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
