DURRES - Zbardhet dëshmia e 17-vjeçarit Devi Lala, i cili mesditën e djeshme vrau me thikë 15-vjeçarin Angelo Gjokazaj. Autori i krimit ka rrëfyer se gjithçka nisi nga një sherr banal, pasi sipas tij, viktima e kishte parë shtrembër në lagje dhe pasi ishin ofenduar, janë përleshur fizikisht. Në këtë moment, Lala pranoi se e ka goditur disa herë me thikë Angelon, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup, të cilat i shkaktuan edhe vdekjen në Spitalin e Durrësit. 

"U ktheva në lagje, aty ku rri gjithnjë. Aty u hasa me Anxhelon. Po më shikonte. Pse më shikon i thash, ka ndonjë gjë për të parë?! Ai më ofendoi, më shau. I thash, pusho se do ta pësosh keq, ai vazhdonte të më shante. Edhe unë nisa ta shaja dhe u përleshëm fizikisht.

Në një moment nxora thikën dhe e qëllova disa herë. Nuk më kujtohet se sa herë i qëllova, pasi isha në gjaknxehtësi e sipër. Por, pashë që mbeti i shtrirë në tokë dhe u mbulua nga gjaku. Në këtë moment u tremba dhe u largova, pak metra më tej hodha thikën në një kanal. Nuk kishim ndonjë konflikt, thjesht antipati për njëri-tjetrin",
ka thënë Devi Lala.  

NJOFTIMI 
(Njoftimi i vdekjes së Angjelos Gjokazaj)

Të afërmit e Angelos: Ishte djalë i urtë dhe shembullor
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Durrës ku u vra me thikë 15-vjeçari Angjelos Gjokazaj, kanë reagur familjarët dhe miqtë e tij. Ata shprehen për Report Tv se Angelo ka qenë një djalë i mirë, i urtë dhe shembullor. Dhe familjes asnjëherë nuk i ka sjellë probleme ose shqetësime.

Djemtë shprehen se Angelo ka shkuar me vonesë në mësim dhe Mësuesja e lëndës nuk e ka pranuar në mësim dhe më pas një shoku i tyre është paraqitur gjithashtu me vonesë, por këtë herë mësuesja e ka pranuar.

Daja: Lajmin e mësuam nga titrat e televizioneve
Daja i Angelo është shprehur për Report Tv se Angelo ka qenë një djalë i qetë dhe lajmin e kanë marrë vesh nga televizori. "Lajmin e mësuam nga titrat në televizion. Shkuam në spital dhe e gjetëm të vdekur. Nuk dimë të ketë pasur probleme".  

15-vjeçarit i jepet lamtumira e fundit
Familja Gjokazaj ka përcjellë sot në banesën e fundit Angjelos 15-vjeç mes dhimbjes dhe lotëve. Familjarë, të afërm, miq dhe shokë iu bashkuan kortezhit mortor duke i dhënë lamtumirën nxënësit 15-vjeçar i cili një ditë më parë u qëllua për vdekje me thikë në zemër nga 17-vjeçari Devi Lala. Policia i trembet ndonjë hakmarrjeje dhe ka marrë masat, duke vendosur një makinë policie te dera e shtëpisë së familjes Lala. Këta të fundit kanë kërkuar të pajtohen me familjet e viktimës por përgjigjja e këtyre të fundit ka qenë negative. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com