Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, është kapur  në kamera duke thënë se zyrtarët kinezë kanë qenë “ të paedukatë ” gjatë vizitës shtetërore të presidentit Xi Jinping, vitin e kaluar në Britani.
 
Ajo është  filmuar  duke biseduar me një zyrtare të lartë të policisë në kopshtin e Pallatit Buckingham ku është shprehur se zyrtarët ishin  shumë të paedukatë me ambasadorët. Ndërsa nga ana tjetër Pallati Buckingham ka thënë se nuk i komenton bisedat private të Mbretëreshës.
“Vizita shtetërore e autoriteteve kineze ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme dhe të gjitha palët kanë punuar nga afër për të siguruar vazhdimin pa probleme të saj”, ka thënë Pallati mbretëror.

Në atë kohë, Mbretëresha e ka cilësuar vizitën si historike dhe ka thënë se lidhjet anglo-kineze po marrin “lartësi ambicioze”.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe gruaja e tij, Peng Liyuan, janë nderuar me një banket shtetëror në Pallatin Buckingham, të organizuar nga Mbretëresha.
As Ministria e Jashtme Kineze, nuk ka bërë ndonjë koment për incidentin, por komenti i Mbretëreshës mund të jetë problematik ndërsa vendi përpiqet të forcojë lidhjet tregtare me Kinën.

90-vjeçare kurrë nuk bën ndonjë koment politik apo diplomatik që konsiderohet i ndjeshëm në publik, ndërkohë që është po aq e rrallë që përmbajtjet e bisedave të saj private të mund të zbulohen.


Redaksia online
(e.m/Shhqiptarja.com)