TIRANE- Partia Demokratike reagoi pas deklaratës së deputetit Spartak Braho se kishte shkuar tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për shkak të detyrës që ai mban, kryetar të Komisionit të Sigurisë. Në një deklaratë për mediat, deputeti Flamur Noka, njëkohësisht edhe nënkryetari i Komisioni të Sigurisë akuzoi Spartak Brahon se deklarata e tij ishte vetëm një justifikim. Por në fjalën e tij Noka nuk përmendi as një gjë mbi akuzën që Braho lëshoi në drejtim të ish-kryeministrit Berisha. “Si nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, iu bëj me dije, se për asnjë moment, nuk kemi pasur në axhendën tonë, apo në shqetësimet tona, cështje që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, apo me serverat e saj.

Justifikimi i z. Braho, për praninë e tij në korridoret e këtij institucioni sëbashku me kreun e grupit të ndërhyrjes së paligjshme, nën shoqërinë e drejtoreshës, është jo vetëm i dobët, por dhe krejt i pavërtetë. Nëse z. Braho do të ishte atje i pranishëm për cështjet e sigurisë, ne, dhe unë si nënkryetar i komisionit parlamentar, minimalisht duhej të kishim dijeni. Alibitë dhe justifikimet nuk e fshehin dot atë cfarë ka ndodhur me serverin e Drejtorisë së Tatimeve ku ruhen të dhënat personale të biznesit dhe qytetarëve të vendit. Manipulimi i të dhënave tatimore, ndërhyrja në sistemin e gjobave të biznesit, është bërë me bekimin dhe kujdesin e vecantë të krerëve të mazhorancës Rama-Meta”,- theksoi deputeti i PD-së.

Në vijim të deklaratës së tij, ish-ministri i Bendshëm akuzoi kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Meta se po synojnë që të zerojnë gjobat e vendosura ndaj bizneseve me qëllim që ti përvetësojnë paratë. “Dyshja Rama-Meta ka ndërhyrë në të dhënat konfidenciale e të mbrojtura me ligj për të bërë të mundur që bizneset të redu0ktojnë, ose zerojnë gjobat, me kusht që paratë t’i derdhin në xhepat e tyre. Jemi para një krimi të rëndë, një korrupsioni galopant, përmes një skeme të mirëorganizuar, ku përfshihen njerëzit e besuar të Ramës dhe Metës. Dhe vetëm kjo është arsyeja pse mazhoranca refuzoi ngritjen e komisionit hetimor të propozuar nga opozita, duke e zmadhuar edhe më shumë paligjshmërinë e tyre”,- tha Noka. Er.Ko


Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)