“Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, rrëfim
për dashurinë e triumph për atdhedashurinë

“Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, rrëfim<br />për dashurinë e triumph për atdhedashurinë<br /><br>
Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-tës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vejevijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij europian të fituar.

A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Europën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria.

Këto janë linjat mbi të cilat ka ngroitur rrëfimin e saj në romanin e fundit “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, shkrimtarja Flutura Açka.

Ky roman, i gjashti në rradhë i autores u promovua dy ditë më parë mes të ftuarve të shumtë miq e dashamirës të letrave, shkrimtarë dhe artistë, edhe të ardhur enkas nga Holanda.

Botuesi Richard van den Brink kopjen e pare të librit ia dhuroi autorit të Skanderbeg Books, por edhe një nga shkrimtarët që jeton jashtë Shqipërisë, shkrimtarit Arbër Ahmetaj, i cili, si lexues në dorëshkrim i veprës, foli për impresionet e tij pas leximit të saj. Sipas Ahmetajt, çdo autor shqiptar pasi ta lexonte këtë libër do të dëshironte ta zëvendësonte emrin e tij me të autores.

Artistja e Popullit Tinka Kurti, recitoi dy poezi të Flutura Açkës, nga vëllimi i fundit “Ftesë për flirt”.

Për të ftuarit vetë autorja Flutura Açka bëri një lexim publik të një pjese nga romani i saj më i ri. Mbrëmja u përmbyll me një bisedë me publicistin Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme, mbi raportin me besimin, politikën shqiptare, raportin me të shkuarën komuniste dhe panorama e Shqipërisë sot, emigrimin e mijëra shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e fundit dhe identitetin shqiptar përballë atij europian.

Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e Ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit.

“Rrethi i Dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit.

Romani ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS