“Timoshenkoja” shqiptare që lindi nga  
 greva kundër simboleve të Hoxhës

“Timoshenkoja” shqiptare që lindi nga  <br /> greva kundër simboleve të Hoxhës
Një formë flokësh e bërë jo pa qëllim, si solidaritet ndaj koleges së saj të burgosur politikisht, Julia Timoshenkos, e identifikoi Mesila Dodën si një lloj “alteregoje” apo “binjake politike” me ish-kryeministren dhe udhëheqësen e qendrës së djathtë të Ukrainës.

E, në fakt, Mesila Doda i ngjan mjaft politikanes së fortë ukrainase: e gjallë, aktive dhe kuftëtare në mbrojtjen e të drejtave të grave në politikë. Ndërsa Timoshenkoja ka si “atu” burgosjen politike, Mesila mbart në trupin e saj qëndresën reale deri në vetëflijim në grevën e urisë së studentëve, në shkurtin e vitit 1991, për heqjen e simboleve të Enver Hoxhës.

Ajo grevë ka qenë fati i studentes tiranase me rrënjë nga Dibra, e cila u dërgua në Itali me shenja të pakta jete si pasojë e dehidratimit total nga greva e urisë. Studioi në një universitet katolik në Romë dhe u kthye në Shqipëri.

Mesila punoi në zyrën e shtypit të qeverisë shqiptare si specialiste e Marrëdhënieve me Publikun, ku gazetarët e njohën si partizane të transparencës. Më pas ka bashkëpunuar si këshilltare e kryeministrit Ilir Meta për mediat, për t’u larguar më tutje e për t’i rihyrë politikës, të cilën e la në vitin 1991.

U aktivizua gjatë vitit 2000 me një cikël shkrimesh publicistike, “Furgon 2000” e “Vizion 2000”, ku parashtroi qëndrimet dhe kritikat e saj ndaj qeverisjes socialiste, por duke dhënë një vizion qytetar të përfshirjes së gjeneratës së re në politikë, e veçanërisht të grave.

Në mandatin e parë të Partisë Demokratike në pushtet, pas fitores së 2005-ës, zonja Doda u zgjodh kryetare e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (sot AMA).

Në zgjedhjet e vitit 2009 u propozua si kandidate e Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, një bastion socialist, ku arriti të fitojë dhe të jetë pjesë e grupit parlamentar të shumicës.

Deklarata më e ashpër e Mesila Dodës në karrierën e saj të gjatë në politikë dhe në publicistikë mbahet mend të jetë ajo përballë Saimir Tahirit, kur i tha në kulmin e polarizimit politik në vitin 2011 se, “nëse do të sulmosh kryeministrinë, do të varesh te palmat para saj”. Megjithatë, ajo kurrë nuk e ka kaluar masën e etikës në Kuvend, të kthyer në standard me sharjet dhe fyerjet ndaj kundërshtarëve. Fraza e thënë në kulmin e tensionit politik është vetëm një re gri në qiellin blu të aktivitetit të saj civil dhe etik në politikën shqiptare.

Doda ishte një zë i fortë i Partisë Demokratike, por që kurrë nuk u afrua nga lidershipi i selisë blu, si nga i vjetri, por akoma më shumë nga i riu, që erdhi pas humbjes në zgjedhjet e qershorit 2013. Edhe pse njihej si mbështetëse e të ndjerit Sokol Olldashi, i cili garoi për kryetar të PD-së në përballjen me Lulzim Bashën, Doda u tregua institucionale. Por lidershipi i ri i Bashës i spastroi të gjithë ata të cilët i konsideronte si “zë ndryshe”, ndër ta edhe Mesila Dodën. Në opozitën e PD-së përballë mazhorancës së madhe PS-LSI, selia blu rimodeloi një altoparlant të telekomanduar, ku nuk u përfshi asnjë prej deputetëve me profil të spikatur individual, si Patozi, Doda, por edhe Topalli, Bregu, etj.

Kur mazhoranca paraqiti një draft për hapjen e dosjeve, deputetja Mesila Doda, së bashku me një grup dhjetoristësh, të mbështetur nga PDIU-ja në Kuvend, propozoi një projekt më të gjerë, që përfshinte edhe lustracionin, pra, ndalimin me ligj të zgjedhjes në administratë të atyre zyrtarëve që gjatë diktaturës kishin punuar në vende kyçe, si në polici, në gjykatë e prokurori. Doda i kërkoi mbështetje publike Partisë Demokratike për këtë draft, por nuk e pati asnjëherë atë. Në këtë kohë u bë e qartë se bashkëjetesa e Mesila Dodës me PD-në kishte marrë fund; pritej vetëm formalizimi i ndarjes.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, e prezantoi para dy javësh në grupin parlamentar të kësaj partie. Kështu që letra e sotme ishte një akt politik i pritshëm, i nxitur më tepër nga lidershipi i PD-së, sesa nga vetë Mesila Doda. /tesheshi.com/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool

Champions League/ Juventus monumental, me dhjetë lojtarë përmbys 2-3 Leipzig! Lille mposht Real Madridin, Aston Villa fiton me Bayern! Shënon Gjimshiti, tri pikë Liverpool