“Wanted” Ahmet Shala!

“Wanted” Ahmet Shala!
Ahmet Shala shpëtoi pa një ferrë në këmbë për shkeljet e shumta ligjore që dyshohet se janë bërë në Kosovë gjatë kohës sa ai ishte drejtori i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM).

Në atë kohë Shala ishte përfolur dhe ishte akuzuar nga persona të ndryshëm për keqpërdorime të mëdha financiare. Mirëpo, të gjitha fjalët e faktet e prezantuara për të nga individë e zyrtarë të ndryshëm, mbetën në harresë. Në atë kohë u fol shumë, por fatkeqësisht fjalët i mori era. Ndërkaq, dosjet e dorëzuara në Prokurori i mbuloi pluhuri.

Një dosje prej më shumë se 2000 faqesh ka kohë që është dorëzuar në Prokurorinë e EULEX-it dhe në Prokurorinë vendore për të bëma të mëdha gjatë procesit të privatizimit të Ndërmarrjes Bujqësore Industriale (NBI) “Suhareka”, po në këtë qytet.
Mirëpo, prej kohës kur janë dorëzuar faktet, asnjë lëvizje pozitive nuk ka pasur në drejtim të zbardhjes së aferës korruptive e kriminale. Por, si për çudi para pak ditësh Misionit Ndërkombëtar të Sundimit të Ligjit EULEX, i ka dalë gjumi duke ua bërë me dije atyre që kanë dorëzuar dosjen se u duhet një kërkesë formale për të nisur hetime.

Një gjë e tillë ishte bërë qysh moti, por edhe te këta të huaj (EULEX-i), po humbeshin dokumentet e shënimet. Paksa cinike, e më shumë qesharake. Dosjen e mbajtën në sirtarë me vite të tëra, e së fundi iu ra ndërmend se nuk paska pasur kërkesë zyrtare nga ta.

Mirëpo, rasti i NBI “Suhareka” është njëra nga storiet kriminale të privatizimit në Kosovë. Të tjera tregime të dhimbshme ka sa të duash.

Pak individë (njerëz të politikës e të lidhur me politikën), u pasuruan nga ky proces. Nga djersa e punëtorëve këta (politikanët) krijuan pallate, vetura të shtrenjta, e po bëjnë jetë luksoze. E në anën tjetër ish-punëtoret e këtyre ndërmarrjeve që janë me qindra-mijëra në numër, kanë mbetur me gishta në gojë.

Disa nga ta madje nuk kanë as bukë për të ngrënë. Shpresën atyre ua këputi Ahmet Shala, i cili tashmë komod përfaqëson Republikën e Kosovës në Japoni.

Shala me dije, apo edhe pa vetëdije, ka shkatërruar Ndërmarrjet Shoqërore përmes procesit të privatizimit, e sidomos atyre që janë bërë përmes metodës së “spin-ofit” special, ku një pjesë e madhe e tyre tashmë janë jashtë funksionit.

Në shumë shtete normale, por edhe jo normale, privatizimi hapi vende të reja pune, solli zhvillim të hovshëm ekonomik, e në Kosovë ndodhi e kundërta. Privatizimi shkatërroi ekonominë, edhe ashtu të brishtë të vendit, e në anën tjetër la në rrugë qindra-mijëra punëtorë.

Arrestimet e fundit rreth abuzimeve në rastin e fabrikës “Fan” në Podujevë, me apo pa dashje, nxjerrin jashtë loje ambasadorin Shala, edhe pse në kushte normale ky është personi i parë që është dashur të japë llogari. Mirëpo, shteti këtë e amnistoi, pasi që ky i kishte shokët e fortë.

Shala me suksese fitoi edhe beteja tjera, siç ishte ajo ndaj ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Nga ky i fundit Shala kishte kërkuar favore që nuk iu plotësuan kurrë. Mirëpo, pas pak kohësh guvernatori u nxjerr nga Banka me pranga në duar. E Shala u avancua edhe më shumë.

Rexhepi qëndroi një kohë në burg, dhe më pas u lirua si i pafajshëm. Storie e rëndë dhe e dhimbshme për ish-guvernatorin, por edhe për vetë shtetin në të cilin po jetojmë. Kështu që çdo hetim, apo arrestim pa e përfshirë ambasadorin Shala do të ishte një shpërlaje e procesit dhe mbyllje e rasteve të rënda që kanë ndodhur në Kosovë për më shumë se një dekadë.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet