TIRANE- Një javë pas shkarkimit nga Kuvendi të kryeinspektores së ILDKP-së, Zana Xhuka, Kuvendi u përfshi sërish në debate të ashpra, të cilat sollën më pas edhe largimin e deputetëve të opozitës nga seanca plenare. Ishte kreu i grupit parlamentar. “Keni goditur direkt Presidentin e Republikës, keni shkelur të drejtat e qytetarëve. Atëherë çfarë mund të presin qytetarët nga ky Kuvend? Është një thirrje e sinqertë, tërhiquni nga qëndrimet tuaja të deritanishme pa qenë vonë.

Cilin nga zyrtarët shkarkuam ne pa i mbaruar mandati? Na thoni vetëm një rast? Nuk keni, pasi ne pranuam në krye të institucioneve edhe ata që ishin militant të Partisë Socialiste, madje në ndonjë rast sikundër ishte Avokati i Popullit i dhamë edhe mandate të dytë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. Ndërkohë që replika të ashpra u zhvilluan edhe mes deputetit të PS-së Armando Subashi dhe ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, ku deputeti i majtë kërkoi ndjekje penale për Xhukën. “Kur kemi pyetur sepse u vu Zana Xhuka në krye të ILDKP-së, na thanë se ka punuar bashkë me ju në Universitetin e Shkodrës dhe ju bënte kafenë.

Zonja Xhuka jo vetëm që do të shkarkohej, por do të përgjigjet edhe penalisht për shkeljet që ka bërë”, tha ai. Ndërkohë që nga ana e tij kryetari i Kuvendit mbrojti vendimin e marrë nga Parlamenti një javë më parë, duke e ftuar opozitën që të marrë pjesë në fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit. “Sepse, cilido që zgjidhet nga Kuvendi dhe që varet nga Kuvendi e ka për detyrë që të respektojë edhe Kushtetutën , të respektojë edhe ligjet, të respektojë edhe Kuvendin. Dhe tjetra, Shqipëria është një republikë parlamentare. Nuk mund të ketë asnjë institucion mbi Kuvendin. E ftoj edhe Partinë Demokratike, si partia kryesore opozitare, që të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit”, tha ai.

Shkrimi u publikua sot (28.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)