“Zing City” i Ledia Kostandinit:
U frymëzova nga kaosi urban

“Zing City” i Ledia Kostandinit:<br />U frymëzova nga kaosi urban
Kur sheh Tiranën me apartamente, ku ballkonet ndryshojnë paq nga njëri tjetri, me shtesa të çuditshme, dyqane  e garazhe pa fund, tesha të varura jashtë ballkonit pa asnjë lloj etike, ose ngrehina që shndërrohen nga një objekt në tjetrin, kupton se një vepër arti nuk do ta përfshinte dot kurrë brenda vetes kaosin urban.
 
Ndoshta ky ka qenë mendimi fillestar i piktores Ledia Kostandini, e cila ka krijuar dhjetëra perfomanca për ndërgjegjësimin e banorëve kundrejt raporteve me mjedisin dhe arkitekturën. Tek e fundit ajo vendos të bëjë një libër, “Zing City”. Është titulli i një zhanri të munguar të librit në Shqipëri, për t’u ngjyrosur nga të rriturit.
 
E frymëzuar nga jeta urbane, Ledia Kostandini në librin më të ri përshkruan pamjen e ndërlikuar të një qyteti subversiv, ku lexuesi mund të udhëtojë duke përdorur ngjyrat e preferuara.

“Në këtë rast bëhet fjalë për një libër që është i gjithi vizual, është i gjithi me ilustrime, ka 22 ilustrime. Bëhet fjalë për një libër të cilin njerëzit do ta marrin, do ta vazhdojnë ta ngjyrosin, por e veçanta në këtë rast është se libri është me ngjyrosje për të rriturit...Ka skena shumë të ngatërruara qoftë për nivelin e vështirësisë që ka, por gjithashtu edhe për mesazhin që ai përcjell për jetën urbane, me subjektin e estetikës urbane, për nivelin e saj”, tha Kostandini.  

Botuesja e librit të Kostandinit Rita Filipi e konsideron si një libër jo vetëm të imagjinatës, por edhe didaktik.

“Bashkëpunimi me Ledia Kostandinin është shumë i gjatë. Më tepër është në karakterin e ilustrimeve duke filluar që me ilustrimin e librave për fëmijë, por edhe më të rritur sesa fëmijët e vegjël fare dhe normalisht unë u tregova entuziaste kur Ledia më paraqiti projektin e këtij libri”, u shpreh Rita Filipi.

-Në aspektin didaktik çfarë rëndësie ka?
 
“Unë do të thosha që ky libër të zgjeron atë horizontin që ti mund të marrësh e të pikturosh gjithë ato gjëra që ti i shikon, detaje të ndryshme që njerëzit me syrin e vet nuk i vënë re, por ky libër të bën që ti vësh re edhe detajet. Dhe këto detaje janë të mbledhura në një lloj mozaiku. Është një lloj mozaiku i përgjithshëm i strukturave urbane të qyteteve”, shtoi Filipi.
 
Qyteti Zing mishëron entuziazmin dhe intensitetin e jetesës shqiptare të zbuluar në arkitekturën e saj të ndërlikuar.

Ndërtesat e mbivendosura, shtresat e tabelave, depozitat e ujit, telat etj., Ky libër të çmon në vende të pazakonta që eksplorohen nëpërmjet ngjyrosjes. 

Të mos harrojmë. Është edhe një kritikë e nëndheshme.

zing city

Redaksia Online
Al.N/Shqipatraja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Spanjolla 'Mundo Deportivo': Zbuloni Rivierën Shqiptare plot me atraksione

Spanjolla 'Mundo Deportivo': Zbuloni Rivierën Shqiptare plot me atraksione