TIRANE-Gjatë përvjetorit të 100-të të Shqipërisë, Kryeministri i saj i paoksidueshëm, shpalosi flamurin e “bashkimit kombëtar të shqiptarëve” të Kosovës dhe Maqedonisë.

Ai guxoi. Në moshën 68-vjeçare, shefi i qeverisë së Tiranës, Sali Berisha foli papritur për “bashkimin kombëtar të shqiptarëve”. Njeriu që mposhti diktaturën e çmendur komuniste të vendit të shqiponjave në fillim të viteve ‘90, i rikthyer si kryeministër në vitin 2005, theu një tabu kur tha se shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë duhet të bashkohen me vëllezërit e tyre të Tiranës.

Flamuri i Shqipërisë së Madhe, dikur i valëvitur vetëm nga disa duar ekstremistësh, tani mori një dimension tjetër. Ai mund të valëvitet gjatë fushatës zgjedhore të liderit të së djathtës gjatë vitit 2013 dhe ta shtrijë hijen e tij mbi të gjithë Ballkanin, duke ringjallur frikën e Serbisë dhe Greqisë.

I sprovuar dhe i duruar, Sali Berisha priti ditën e tij. Shqiptarët festuan 100-vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre, që u çlirua nga Perandoria Otomane më 28 nëntor 1912. Festimet atë ditë ishin kulmi i ceremonive të filluara që më 16 nëntor, me mbërritjen e eshtrave të Mbretit Zogu I, sovrani i fundit shqiptar i vdekur në mërgim në Francë në vitin 1961.

Këto festime i dhanë rastin Sali Berishës të gdhendë staturën e tij historike duke përhapur mesazhe dhe simbole. Ai u përpoq prej disa vitesh për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I, të cilit iu bënë homazhe nga shteti shqiptar; arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar, u ekspozua në Pallatin Mbretëror, para se të varrosej në mauzoleumin e familjes, të ndërtuar kohët e fundit.

Më pas Kryeministri shqiptar shkoi në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë, ku takoi homologët e tij kosovarë dhe maqedonas. Atje, më 25 nëntor, para një turme prej 10 000 personash, ai tha: Me ndihmën e Bashkimit Europian, ne do të realizojmë projektin e bashkimit tonë kombëtar…U them fqinjëve tanë të mos tremben nga bashkimi kombëtar i shqiptarëve. Turma ia kthente me thirrjet Shqipëri e Madhe dhe tundte flamujt e kuq me shqiponjë dykrenare. Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, me 90% popullsi shqiptare, shtoi: Ne jemi më të fortë se kurrë dhe do të vazhdojmë të punojmë së bashku. Çka e frikëson akoma më shumë minoritetin serb të Kosovës.

Flamuj maqedonas u dogjën në Shkup. Po ashtu edhe në Tiranë, ku vetura e Kryeministrit maqedonas u qëllua me vezë. Fundjavën e kaluar, të rinj maqedonas dhe shqiptarë u kacafytën në Shkup. Popullsia shqiptare e Maqedonisë, e cila përbën rreth 25% në 2 milionë banorë maqedonas, zbukuroi banesat me flamuj kuqezi, gjest paqësor, por që u përjetua si provokim.

Të martën Sali Berisha kishte parashikuar të shkonte në Kosovë për përurimin e autostradës që lidh Prishtinën, kryeqytet i vendit të shkëputur nga Serbia në vitin 2008, me Shqipërinë. Por ceremonia e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë u anulua. Rreth 200 ish-luftëtarë të UÇK-së pushtuan tribunën zyrtare për të protestuar kundër arrestimit të njërit prej komandantëve të tyre të akuzuar për krime lufte nga EULEX-i. Helikopteri që duhej të sillte Sali Berishën, u kthye në mes të rrugës. Homologu i tij kosovar nuk u duk fare.

Dy kryeministrat u takuan të mërkurën në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, të pushtuar nga turma. Para 5 vjetësh, thekson analisti Rezar Xhaxhiu, patriotizmi shqiptar ishte disi folklorik. Tani ne jemi në fillim të një rilindjeje kombëtare. Na u desh të prisnim 100 vjet.

Aleanca Kuqezi, e krijuar vitin e kaluar në Shqipëri, i përgjigjet lëvizjes kosovare Vetëvendosja, dhe disa grupeve më të vogla në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në jug të Serbisë. Të gjithë militojnë për Shqipërinë e Madhe. As Greqia nuk kursehet. Së pari, sepse një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh të dëbuar nga Greqia gjatë Luftës së Dytë Botërore, kërkon të dëmshpërblehet më fort se dje. Së dyti, sepse një konflikt me aromë nafte kundërvë Greqinë me Shqipërinë në detin Jon. Kudo në Ballkan, shqiptarët po i shohin me një fije shqetësimi.

Sali Berisha është shumë i kujdesshëm që të mos ushqejë dyshimet. Ai ka luajtur gjithmonë në mënyrë paqësore, duke qenë se Shqipëria konsiderohet nga Bashkimi Europian si një element stabiliteti në Ballkan. Por sa më shumë të rritet intensiteti i fushatës zgjedhore në Tiranë, aq më fort mund të valëvitet flamuri i Shqipërisë së Madhe.

Marrë nga Mapo

(eç/shqiptarja.com)