Përgjithmonë, po. Ferrari ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Charles Leclerc, duke konfirmuar se piloti nga Monaco do të vazhdojë të garojë me skuderinë italiane edhe për shumë sezone të tjera në Formula 1.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Ferrari përmes një komunikate zyrtare, ku theksohet besimi i vazhdueshëm ndaj njërit prej pilotëve më të rëndësishëm të skuadrës.

“Skuderia Ferrari njofton rinovimin me Charles Leclerc, i cili do të vazhdojë të veshë ngjyrat e skuadrës sonë në sezonet e ardhshme të kampionatit botëror të Formula 1”, thuhet në njoftimin e ekipit nga Maranello.

Historia mes Leclerc dhe Ferrarit ka nisur shumë përpara debutimit të tij në Formula 1. Në vitin 2016 ai u bë pjesë e Ferrari Driver Academy, ndërsa një vit më vonë fitoi titullin kampion në Formula 2. Debutimi në Formula 1 erdhi në vitin 2018 me Sauber, përpara se një vit më vonë të bashkohej me Ferrarin dhe të bëhej një nga figurat qëndrore të skuadrës legjendare italiane.

Pas firmosjes së kontratës së re, Leclerc nuk e fshehu entuziazmin për vazhdimin e aventurës së tij me Ferrarin.

“Nuk mund të isha më i lumtur nga vazhdimi i këtij rrugëtimi me skuderinë Ferrari. Për mua ka qenë gjithmonë më shumë se thjesht një skuadër. Është ekipi që kam ëndërruar që fëmijë dhe që sot e konsideroj si familjen time të dytë”, deklaroi piloti 26-vjeçar.

Leclerc shtoi se objektivi i përbashkët mbetet rikthimi i titullit botëror në Maranello, duke premtuar përkushtim maksimal për të realizuar ëndrrën e tifozëve të Ferrarit.

“Do të vazhdojmë të luftojmë së bashku për të rikthyer titullin botëror në Maranello. Të jesh pilot i Ferrarit është një privilegj, por edhe një përgjegjësi e madhe. Do të jap gjithçka për ta çuar këtë skuadër aty ku e meriton”, u shpreh Leclerc.