Maliqi theksoi se Partia Demokratike ka marrë vetëm 19 % të votave në Berat, duke shënuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Ish-deputeti i PD ka folur edhe rreth ofertave të Lulzim Bashës pas deklaratës se do të tërhiqej nga lista e PD dhe se do të mbështeste Partinë Socialiste.
Sipas tij, Basha i kishte premtuar se do të bëhej deputet në vend të Eduart Halimit, pasi Halimi, sipas Bashës, do të bëhej ministër.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, ka folur gjithashtu mbi prapaskenat e hartimit të listës së kandidatëve për deputetë të PD si dhe për komunikimet me Berishën, Bashën, Ramën dhe me grupin kundërshtar të Bashës brenda PD.
Z. Maliqi, ju refuzuat të renditeshit i treti në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Berat, ndërsa u deklaruat publikisht kundër Lulzim Bashës dhe në mbështetje të Edi Ramës. Ku konsistoi kontributi juaj në rezultatin negativ të PD në Berat?
Kontributi im ishte se iu dogj mandati i dytë i Partisë Demokratike, ndërsa Partia Socialiste mori mandatin e katërt. Po ashtu, Partia Demokratike ka pësuar rënie me 7 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e 2013. Pata një mbështetje masive nga qytetarët, ku vetëm në ish komunat Otllak dhe Lumas, PD humbi me 1800 vota në krahasim me 2013.
Po kështu, PD humbi dhe 5000 vota të tjera në Kuçovë, Berat, Poliçan dhe Skrapar, duke dalë forcë e tretë dhe më dobët se në 1997. Si asnjëherë në historinë e saj, në Qarkun Berat, PD në këto zgjedhje përfundoi me një deputet dhe me 19% të votave.
Kam keqardhje dhe vlerësim për demokratët e thjeshtë, të cilët do kenë tek mua një mik, por e paralajmërova z. Lulzim Basha se parashutimi i UFO-s nuk do të pranohej nga populli i Beratit. Mirënjohje gjithë miqve demokratë nga i gjithë Qarku Berat, që më besuan dhe më mbështeten, duke i dhënë PS fitore të thellë me 4 mandate dhe duke rrezikuar për pak vota mandatin e 5-të për PS.
Keni pasur raporte të tensionuara me Lulzim Bashën, sidomos pas publikimit të listës. Çfarë pakti keni pasur me Bashën? Çfarë ju premtoi ai?
Sa i përket raporteve personale me Bashën, unë qëndrova besnik deri në momentin e shpalljes së listës. Nëse unë do të doja që të ikja me forca të tjera politike, do të isha i sigurt në listë që dy muaj përpara.
Por i besova fjalë së Bashës, i cili më ka mashtruar mbi katër herë. Më premtoi për të konkurruar për kryetarin e Bashkisë së Beratit. Në 2015 do të fitoja bindshëm përballë kandidatit të LSI. Pabesisht, më thotë se Beratin ia kemi lënë Partisë Republikane.
Më pas më premtoi se do të isha i pari në listën e PD për Beratin. Unë vazhdova punën. Isha bashkë me z. Bode. Ridvan Bode ishte i deleguar dhe mbulonte qytetin, ndërsa unë zonat rurale.
Mendova se Bode do të ishte i pari, ndërsa unë i dyti. Do të pranoja edhe të dytin. Për premtimin e vura edhe në dijeni edhe z. Berisha. Berishës i jam mirënjohës. Por, ku mora vesh në orën 01:30 të natës se unë isha i treti, u kam dërguar mesazh të dyve, edhe Berishës, edhe Bashës, se isha i fyer nga kjo pabesi.
Cili ishte reagimi i Berishës?
Sali Berisha më ktheu përgjigje dhe më tha se vlerësonte punën time, por lista është hartuar nga Lulzim Basha dhe se kishte bërë të pamundurën për mua. Ndërsa Basha, pasi e kam takuar më bëri oferta të çuditshme.
Ju mendoni se Berisha nuk ka dorë në hartimin e listës?
Unë nuk mund ta them këtë gjë. Unë di vetëm që Lulzim Basha gënjen. Më kanë thënë shumë veta, që kanë pasur eksperienca me të, se ai gënjen. Nga të gjitha të dhënat, nga komunikimi me shumë njerëz, thonë se Basha e ka bërë vetë listën.
Unë jam takuar edhe me zonjën Topalli, me Patozin, Imamin, Rulin etj., me të gjitha këta të përjashtuarit, për të ditur të vërtetën e listës. Këta mendonin se Basha e ka bërë listën vetëm me familjen e tij, kunati dhe njerëzit e tjerë të afërt.
Edi Rama ka lindur me këmishë sepse në Shqipëri nuk ka më opozitë.
I pata thënë se do të merrte mbi 71 mandate. Kjo opozitë është e shkatërruar, nuk ka drejtim, është e çorganizuar totalisht. Nuk mund ta marrë më veten. Në zgjedhjet e ardhshme do të humbasë më thellë.
Thatë se Basha u ka bërë oferta të çuditshme. Konkretisht, të çfarë natyre ishin ofertat?
Oferta e Bashës ishte se Eduard Halimi do të bëhej ministër dhe se unë do të bëhesha deputet në vend të tij.
Tha se kishte qenë në një pozicion shumë të vështirë dhe se i bënin presion të vjetrit. Unë e paralajmërova Bashën se Partia Demokratike, me këtë listë, nuk do ta merrte mandatin e dytë në Berat.
Por ai kishte një eufori se do t’i fitonte zgjedhjet me këtë listë. Në këto kushte, duke pyetur edhe elektoratin vendosa që të ikja tek Partia Socialiste. Pasi kam bërë deklaratën, kam pasur një telefonatë nga kryeministri Edi Rama, i cili më falënderoi.
Unë i thash se nuk kërkoj asgjë, por vetëm disa investime në zonën time. Gjithashtu, i kam garantuar z. Rama se unë do të digjja mandatin e dytë të Partisë Demokratike në Berat.
Tashmë, Partia Demokratike do mbi 10 vjet që të marrë vetën në Berat. Me këtë trend, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në Berat do të rrezikohet edhe mandati i parë i Partisë Demokratike.
Megjithatë, mënyra e hartimit dhe përbërja e listës nuk mund të jetë arsyeja e vetme e humbjes...
Edhe ajo çadra që ngriti në bulevard ishte një farsë. Na lodhi dhe në torturoi për tre muaj dhe më në fund shkoi e bëri një marrëveshje për interesat e veta. Partia Demokratike tani nuk ka një lider.
Duke mos pasur një lider, nuk ka frymëzim. Duke mos pasur frymëzim, nuk ka shpresë. Duke mos pasur shpresë, nuk mund të ketë fitore në zgjedhje. Është lideri ai që frymëzon. PD i mungon lideri. Me këtë kryetar, i cili sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet sërish, PD do të ketë një humbje edhe më të madhe në zgjedhjet lokale.
Si e vlerësoni garën për kreun e PD?
Basha nuk e sjellë kurrë PD në pushtet. Nuk përcjell shpresë dhe optimizëm. Gënjen dhe mashtron për çdo gjë. Nuk di që të drejtojë. Nuk e mban fjalën. E ka kthyer PD në një parti familjare. Kjo garë është farsë dhe do ta çojë PD në dështime të tjera fatale.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com