Legisi: Rama të reflektojë, po fut
partinë në kolaps, duhen zgjedhje

Legisi: Rama të reflektojë, po fut<br />partinë në kolaps, duhen zgjedhje
Ish deputeti i Partisë Socialiste, Ndre Legisi, u shpreh gjatë një prononcimi për Report TV se kryetari i PS, Edi Rama, duhet të reflektojë, pasi po e fut partinë në kolaps. Sipas tij, Kongresi i PS është shndërruar në paradë suksesesh, ku asnjë prej ministrave nuk reflekton për dobësitë në punë. “Z.Rama me fjalën e tij shpalosi sukseset e qeverisë. Brenda saj kishte edhe momente reflektimi, siç ishte ai i respektit dhe ftesës që i bëri Nanos dhe figurave qendrore të PS. Diskutimet vijojnë me ministrat. Është një Kongres paradë suksesesh. Nuk po shohim që ministrat të reflektojnë edhe për dobësi në punën e tyre. Një gjë të tillë e bëri z.Rama”, u shpreh Legisi.

Si një nga zërat kritik kundër Ramës, Ndre Legisi thotë se Kongresi duhet të përfshijë edhe propozimet e Lëvizjes për Demokratizimin e PS. “Lidhur me platformën e paraqitur në asamble, është e një grupi, as e Maqos e as e Blushit, një grupi firmëtarësh të kryesuar nga Meidani, për forcimin e demokracisë së brendshme në PS. Kemi bërë propozime për rregullime statusore. Shpresojmë që Kongresi të përfshijë disa nga propozimet tona. Themelore mbetet kërkesa për të votuar kryetarin e partisë, pas kaq vitesh shkelje statusore, me një anëtar, një votë, siç parashikon statuti i vjetër. Statuti që ndryshon sot, nuk ka fuqi prapavepruese, kështu që kemi arsye të shpresojmë se do të ketë reflektim nga delegatët. Do të ishte në dinjitetin e z.Rama të reflektojë dhe të mos e fusë partinë ne një kolaps e qorrsokak pa arsye. Një herë në katër vjet, kryetari i PS, pavarësisht nga pozicioni, duhet të rivotohet sipas parimit një anëtar, një votë”, tha ai.

Intervista e plotë e Ndre Legisit për Report TV

Z.Legisi, nëse platforma nuk pranohet, çfarë do të ndodhë?
Shpresojmë të ketë reflektim. Nëse Kongresi do të mbajë qëndrime të tjera, s’mund të jetë një opinion i mi që e përcakton këtë gjë, por do të jetë opinioni i të gjithë atyre shokëve që kemi kërkuar zgjerimin e demokracisë së brendshme në PS.
 
Është kjo lëvizje një fraksion i ri në PS?
Është akoma një përpjekje statusore, për të vënë në binarët e rregullit dhe statutit veprimtarinë e partisë, për shkak se PS prej kohësh nuk ka patur një funksionim normal, siç e pranoi edhe z.Rama në asamble. Por është e pajustifikuar që Rama të thotë se s’kemi mbledhur Asamblenë, Kryesinë se kemi patur ca punë të tjera. Nëse gjërat ndryshojnë, pse jo, gjërat të ndryshojnë brenda PS. Jemi socialistë që ndër vite kemi treguar se nuk jemi këtu për të qenë ministra, as deputetë, por jemi sepse mendojmë se alternativa e PS është më e mira.
 
Do ketë fraksione në PS?
Jam këtu për të thënë se deri në këtë moment, presim të reflektohet për propozimet tona, për ndryshimet në statut dhe votimin e kryetarit të partisë, sipas parimit një anëtar, një votë.
 
Si e shihni propozimin e Ramës për referendumin?
Edhe vetë Rama po e kupton se propozimi ishte i gabuar. Kjo sepse janë të njëjtat arsye që paraqiti për mosfutjen në një fushatë zgjedhore brenda partisë. Do të kemi fushatë për referendumin? Do të kemi. Pse të mos bëjmë zgjedhjet në parti atëherë? Është e njëjta strukturë politike që do të marrë pjesë në votime. Është e gabuar dhe Rama e ka kuptuar këtë gabim.
 
Si ju duket që Kongresi u hap nga z.Veliaj? Sikur pati një ndryshim axhende...
Z.Veliaj është tashmë prej 4 vitesh anëtar i PS, anëtarë i kryesisë së PS. Kështu që, z.Veliaj nuk mund të quhet më i ri. I ri mund të quhet Bruno Shllaku i pranuar në parti para disa ditësh dhe sot e shoh delegat në Kongres. Ky është problemi në fakt.
 
Do të ketë një fjalim z.Blushi?
Patjetër që do të ketë një fjalim edhe z.Blushi, z.Lakrori. Emrat janë dorëzuar, pastaj z.Ruçi, si “demokrati” më i madh që kemi këtu, do na e japë fjalën. Kështu funksionon në Kongrese...dorëzohen emrat, pastaj drejtuesit u japin fjalën folësve.
 
Do të votoni kërkesën për referendum?
Nuk do ta votoj një kërkesë të tillë. Sepse është një gabim. 

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Shtetet baltike dhe Polonia kërkojnë fonde nga BE-ja për mbrojte kufitare

Shtetet baltike dhe Polonia kërkojnë fonde nga BE-ja për mbrojte kufitare