Policia e Durrësit ka arrestuar një 48-vjeçari pasi prej 3 muajsh në lokalin ku punonte lejonte vënien e basteve sportive nëpërmjet celularit.
Sipas policisë është vënë në pranga E. M., 48 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për një 17-vjeçar.
Të dy këta shtetas u kapën në flagrancë, në ambientet e lokalit ku punonin, në Golem, teksa vinin baste sportive, nëpërmjet disa celularëve. Nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se këta shtetas e kryenin këtë veprimtari të kundërligjshme, prej rreth 3 muajsh.
Në cilësinë e provës materiale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 3 celularë që dyshohet se i shërbenin vënies së basteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.