TIRANE - Nikollë Lesi ka thënë se, nëse PD do të kishte ndonjë mundësi të vogël për fitore, ajo do të ishte nëse fushata elektorale do të drejtohej nga Lulzim Basha ose Jozefina Topalli, dhe jo Sali Berisha. Për shkak të këtij propozimi, Lesi thotë se ka mbetur jashtë listës së kandidatëve të PD për deputetë.

“Gjatë një diskutimi me një mikun tim, figurë shumë e rëndësishme e PD, i thashë zgjidhjen për fitore në 23 qershor.I thashë a mund t’i thuash kryeministrit se zgjidhja për t’i fituar zgjedhjet me vështirësi, është që fushatën ta drejtojë Lulzim Basha ose Jozefina Topalli, jo Sali Berisha.

Sa i thashë, iku miku jonë sikur kishte rënë damllaja. Unë prapë se besoj se është kjo arsyeja. Një mendim dhashë, nuk përcaktova gjë. Unë do fitoj për arsye se kam argument, unë nuk prish koalicionin. Se flas, kritikoj, nuk lëviz. Që në 2003 nuk kam votuar kundër kësaj mazhorance.

Kisha ofertë nga Rama të kandidoj në Lezhë dhe do dilja patjetër deputet dhe se bëra. Unë do luftoj votë për votë për të bindur elektoratin dhe do t’u bëj spektakël në parlament” tha Lesi për mediat. Lesi vazhdon t’i qëndrojë bindjes se PD ndryshoi rregullat e lojës pas nëshkrimit të marrëveshjes, ku kishte marrë garanci për mospërfshirjen e asnjë aleati në listat e deputetëve të PD.

Lesi, që kandidon në Qarkun e Tiranës, ka thënë se do të donte të kandidonte në Lezhë. “Në Lezhë, që mund të konsiderohet si bastioni im, ku kam kontribuar me maksimumin tim, e kisha me shumë pasion të isha deputet i saj. Lezha me këtë listë që ka vënë Berisha atje, nga 4 deputetë që ka PD, rezultati do dalë 3 PD, 3 PS e një LSI me Monika Kryemadhin. Kjo, pasi LSI ka një strukturë bindëse në Lezhë”, tha Lesi.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)